Lajme

“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, dalin fotot e Abazoviç krah krerëve të kishës serbe

Dritan Abazoviçi e ka përkrahur shefin e tij proserb në qasjen ndaj protestave të qytetarëve malazezë kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje. Derisa malazezët që kundërshtojnë ndikimin serb dhe mbrojnë identitetin e tyre kombëtar protestonin, brenda Manastirit në Cetinje po mbahej ceremonia ku, ndër të tjera, po këndohej “kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Para kësaj ceremonie,  dolën pamjet ku Abazoviçi ishte takuar me krerët e Kishës Serbe, për t’u koordinuar.

Dritan Abazoviç, partner dhe zëvendës i kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiç, që vjen nga linja politike proserbe, ka qenë kundër prostestave para Manastirit të Cetinjes, ku kundërshtohej shugurimi i kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe, në qytetin që dikur ishte kryeqendra e malazezëve. Dritan Abazoviç është shqiptari me detyrën më të lartë shtetërore. Ai është zëvendëskryeministër në qeverinë më proserbe të Malit të Zi, në 30 vjetët e fundit.

Mali i Zi këto ditë është përballur më trazira, pasi protestuesit kundërshtonin që ceremonia e shugurimit të kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe të bëhej në qytetin e Cetinjes. Këta protestues kanë kundërshtuar ndikimin dhe fuqinë serbe në Mal të Zi, duke mbrojtur identitetin e tyre shtetëror, të ndarë prej Serbisë.

Mirëpo, këto protesta, Abazoviç i ka konsideruar të shtyra politikisht nga presidenti Milo Gjukanoviç, i linjës properëndimore. Para dy ditësh, Abazoviç ka thënë se deputetë të partisë Socialdemokratike kanë për qëllim rritjen e tensioneve, e jo sigurinë e qytetarëve, kur u kërkua anulimi i ceremonisë së shugurimit në Manastirin e Cetinjes. Në media është publikuar një fotografi nga Podgorica, ku shihet zv.kryeministri Abazoviç me krerë të Kishës Serbe.

Ndërkaq sot, kur u bë ceremonia e shugurimit dhe u rritën tensionet, Abazoviç, përmes një postimi në Twitter ka thënë se njerëz të afërt të Gjukoniviçit po qëndrojnë prapa protestës, duke shtuar se “gjithçka është e qartë për këdo”. Para dy ditësh, ai tha se është krijuar atmosferë e tillë, pra kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Serbe, “vetëm që të ngadalësohet luftimi i krimit të organizuar”, raportonte Vijesti.me.

Me gjithë kundërshtitë, ceremonia e shugurimit u krye sot paradite, ndërsa krerët e Kishës Serbe u larguan të përcjellë nga forcat anti-terror, deri te helikopteri që i çoi në Podgoricë. Protestuesit kishin vënë barrikada në rrugë për të penguar ardhjen e krerëve të Kishës Ortodokse Serbe në manastirit e qytetit të Cetinjes, që dikur ishte kryeqytet i Malit të Zi.

Përveç protestuesit me Polici, janë përplasur edhe udhëheqësit më të lartë të shtetit malazez. Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç, që vjen nga linja politike proserbe, ka akuzuar se këto protesta ishin të porositura për veprime terroriste. Ndërkaq presidenti Gjukanoviç, partia e së cilit e ka humbur pushtetin vitin e kaluar, i ka përkrahur protestat.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: