
Dy persona janë arrestuar në Lushnje për vepra të ndryshme penale.
Mësohet se në pranga ka rënë një 30-vjeçar, pasi së bashku me tre persona të tjerë dyshohet se kanë dhunuar një person tjetër për vetëgjyqësi.
Dyshohet se 31-vjeçari i kishte 30-vjeçarit lekë borxh, të cilat nuk ia kishte larë ende.
Po ashtu është arrestuar dhe një 55-vjeçar, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një person të mitur.
Njoftimi i Policisë:
Lushnjë/Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin K. K., 30 vjeç, banues në Sarandë, si edhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. A., 20 vjeç, K. K., 19 vjeç dhe E. A., 31 vjeç, të tre banues në Shkodër, pasi me vetëgjyqësi, janë konfliktuar fizikisht me një shtetas, për t’i marrë një shumë parash që ky i fundit iu kishte borxh. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e shtetasit të arrestuar K. K., u gjet një armë e ftohtë (dorezë metalike), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po nga këta specialistë u arrestua në flagrancë shtetasi L. K., 55 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, një shtetas të mitur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.