Lajme

Nga hipotezat për një lidhje intime, tek dyshimet për një femër të përfshirë, familjarët e Mateos denoncojnë fqinjën e tyre

Familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasia, i cili u vra me sende të forta nga fqinji i tij të mërkurën e shkuar, kanë bërë një tjetër denoncim në Policinë e Fierit. Ata kanë denoncuar një tjetër fqinje se mund të ketë lidhje me vrasjen e djalit të tyre.

Familjarët e viktimës thonë se qëndrimet e saj kontradiktore të këtyre ditëve i kanë bërë ata të dyshojnë se mund të jetë e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Ata i kanë kërkuar Policisë që të nisë hetimet mbi të dhe lidhjet që ajo ka pasur me ngjarjen. Familjarët i kanë thënë Policisë se disa deklarata të dhëna nga autori Klodian Çalamani para se të mësohej për fatin e vogëlushit janë të njëjta me ato që ka thënë gruaja e moshuar, e cila sipas burimeve, banon fare pranë shtëpisë së viktimës dhe Çalamanit.

“Kjo grua na ka thënë se një makinë kishte kaluar në rrugën pranë shtëpisë e ndoshta mund të kishte lidhje me humbjen e djalit”, mësohet të kenë thënë familjarët në Polici, ndërkohë që kjo deklaratë është e njëjta me atë që ka thënë edhe autori para se të gjendej trupi i djalit. Gruaja për të cilën familjarët kanë dyshime pritet të merret në pyetje nga grupi i hetuesve për të hedhur dritë jo vetëm mbi ngjarjen, por edhe nëse ka pika kontakti me autorin e saj, që mund ta përfshijnë.

DËSHMITARJA

Një dëshmitare e ngjarjes së rëndë ka treguar se në vrasjen e 8-vjeçarit është përfshirë edhe një femër. Ajo kërkoi të merren shenjat e gishtave të të gjithë familjarëve, pasi sipas saj, një person tjetër shumë i ngushtë është i përfshirë. Më tej theksoi se Mateo është dëshmitar i një ngjarjeje dhe kjo, sipas saj, duket se i ka marrë jetën vogëlushit. “Nuk është vetëm Klodiani në këtë mes, por edhe një femër. Tezja e Mateos ka telefonuar vetë një person para dy ditësh dhe ajo e di këtë. Pra, të merren shenjat e gishtave, qoftë te nusja e xhaxhait, qoftë edhe një person tjetër shumë i ngushtë.

Për atë që ka bërë Klodiani ai duhet të varet. Por nëse do të ishte vrasës, ai do të kishte vrarë fëmijë me kohë. Ku e dinte nëna që vëllai ishte sëmurë, ku i dinte nëna këto biseda… Unë mendoj që Mateo ka parë diçka, ai donte të thoshte një sekret te xhaxhi dhe tezja. Mateo është dëshmitar i një ngjarjeje”, ka thënë ajo.

NGJARJA

Krimi i rëndë u regjistrua paraditen e së martës në fshatin Grecalli të Fierit. Djali 8-vjeçar me gjasë ishte nisur për në shkollë kur u nda për herë të fundit me të ëmën, për të mos u takuar më.

Në orët e pasdites, gruaja denoncoi në Polici zhdukjen. Ishin forcat e rendit ato që zbuluan fatin tragjik të Mateos, i cili ishte qëlluar me kazmë. Trupi i pajetë u gjet i groposur në një banesë pranë shtëpisë së 38-vjeçarit Klodian Çalamani. Ndërsa familjarët zhvillonin kërkime, Klodian Çalamani kërkonte bashkë me ta në përpjekje për të fshehur gjurmët. Pas zbulimit dhe arrestimit të autorit, Çalamani ka sqaruar të gjithë kronologjinë e ngjarjes, duke pretenduar se fëmija e shante, të njëjtën deklaratë që ka bërë edhe paraprakisht pas arrestimit.

“Më datë 16 nëntor 2021, rreth orëve të mëngjesit, ora 8 apo 9, nuk e di, unë ndodhesha në shtëpinë time dhe më vjen djali i vogël i Florës, të cilit nuk ia di emrin, por e njoh që është djali i Florës, i cili filloi të më shante. Unë në këtë kohë isha duke punuar me kazmë tek oborri i shtëpisë sime dhe ai erdhi afër te porta, në një distancë një metër larg nga unë dhe më thoshte ‘Pse ma ngacmon mamin?’ dhe vazhdonte të shante.

Ndërsa unë i them ‘Ik se e di unë çfarë bëj’ dhe djali vijonte të më shante. Në këtë kohë, unë e kam qëlluar me kazmë qylyke, me pjesën e prapme të kazmës… Më pas i kam lidhur duart nga mbrapa, me një lidhëse këpucësh. Mbasi e pashë që fëmija kishte vdekur… e kam tërhequr zvarrë dhe e kam hedhur te një gropë”, ka thënë ai. Dyshimet për vrasjen, tezja e Mateos: Djali pa diçka që nuk duhej ta shihte

Tezja e Mateos së vogël, i cili u vra barbarisht nga fqinji i tij në Grecalli të Fierit, ka bërë deklarata të forta në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku 8-vjeçari u vra në mënyrë barbare me një vegël bujqësore dhe më pas u gropos. Adriana tha se sytë e Mateos kanë parë diçka që nuk duhej ta shihte, ndaj edhe është vrarë sipas saj. Mes të tjerash, ajo aludon se personi i dytë që përfshihet në këtë ngjarje mund të jetë edhe brenda familjes së motrës. “Sytë e tij kanë parë diçka që unë nuk di çfarë të them, kanë parë diçka që ai është goditur. Për të mbuluar gjithçka është vrarë nipi im”, tha tezja për emisionin “Me zemër të Hapur” në “News 24”.

Gruaja thotë se nuk ka vrasje pa një shoqërues. “Unë nuk di më shumë. Qëkur kam dëgjuar mbrëmë që ka folur, se nepërkën e ka brenda në shtëpi. Familja e motrës ka pasur problematikë gjithë kohës. S’mund t’i diskutoj të gjitha, por ka pasur shumë”, u shpreh ajo. Tezja e Mateos kujtoi edhe ngjarjen e vitit 2006 në banesën e Klodian Çalamanit. “Për ngjarjen e 2006-ës ajo vajzë ka dalë nudo jashtë në rrugë dhe ka nxjerrë shkumë nga goja. Unë mendoj se nuk ka arsye që ai të vriste Mateon për arsye të xhaxhait. Djali ka qenë dhe herë të tjera në shtëpinë e tij dhe ai s’ka pasur arsye ta vriste.

Djali ka parë diçka që nuk duhej ta shihte. Mateo ishte një djalë i zgjuar, i shkathët. Motrën time e ka marrë vjehrra në telefon dhe i ka thënë: ‘Çuni ka humbur, nuk po e gjejmë dot’. Dua të di se kush ishte ai person që tha: ‘E kam vëllanë të sëmurë, dua të iki në shtëpi’. Nga po dalin këto fakte? Ai djalë u vra, kush i tregoi”, u shpreh ajo më tej.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: