Categories Lajme

Nga Vilma Bello: Vlora si marrëveshje shoqërore për zhvillim! Opozita?!

Vlora si marrëveshje shoqërore për zhvillim! Opozita? Pas stuhisë të enjten e fill pas histerisë që e pasoi në Vlorë e gjetkë pezmin opozitar nëpër rrjet për ujin që vërshoi mbi rrugët e sheshet e reja a të rindërtuara këto vite në Vlorë, e kam pyetur shpesh veten: çfarë e ysht këtë urrejtje? Ç’bark e mban këtë reagim opozitar që nuk nginjet me rrebeshe e fatkeqësi të qiellit e të tokës?

Kujt mund t’i mbushet shpirti me gazmendin e përmbytjeve e që pastaj t’i bëhet sterrë, si strehët e ahurit të Hanko Hallës, kur del dielli? Prej profesionit, e kam më të thjeshtë të më shkojnë nëpër mend komplekse të personalitetit e të jap shpjegime prej Frojdit te Jungu e deri Derrida; një kompleks masiv pamjaftueshmërie, një vorbull inferioriteti që e përpin arsyetimin, degdisje morale e shpirtërore njerëzish që rrojnë në periferi të jetës.

Megjithatë nuk besoj se është kaq e thjeshtë. Kjo mërgatë vullnetare prej përgjegjësive po bëhet përditë përmasë e qytetërimit që predikon opozita – larg prej njerëzve, sekt që përvidhet prej natyrës, jetës dhe punës. Këta që i thonë vetes të djathtë e që duhet të zhvillonin një ndjenjë më stoike, një qëndrim më moral e më pak emocional mbi jetën, pra, të kishin njëfarë identiteti sadopak te natyrshëm, duken më shumë si kumarxhinj që presin t’u vijë një dorë e mirë letrash (pa përmendur që herë-herë mbathin çizmet e mbikqyrësve të punëve komunale në facebook).

Kap ça të kapësh. Të dalë ku të dalë.  Vlora edhe mund të përmbytet, një forcë madhore mund të sundojë përkohësisht jetën tonë, të vërshojë mbi lagjet, rrugët, rrugicat, sheshet, punët, hallet, mbi jetët tona.  Vetëm se, pikërisht aty, shfaqet ajo që i mungon organikisht opozitës dhe që është shenja jonë, e socialisteve – bashkimi shoqëror, vetëdija qytetare, dinjiteti i punës në heshtje. Ulim kokën, përveshim mëngët, futemi në ujë e pastrojmë, gërryejmë, shpëlajmë kanalet, përpiqemi të gjejmë, në emër të të gjithëve, pajtim me atë që, këtu e tri dekada, e kemi kthyer në hasmin tonë: natyrën.

Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet, veç të tjerash, edhe për këtë.  Edi Rama e ka udhëhequr drejt vullnetit për punë, drejt përkorësisë e përgjegjësisë, ushtrimit të talentit në shërbim të së bukurës e së dobishmes, drejt një qytetërimi që ka aftësinë të pajtojë e t’u krijojë të ardhme të gjithëve në një mjedis të përbashkët natyror e shoqëror (shihni tek e pohon Fatos Nano nga perspektiva e socialisteve këtu e 30 vjet). Vlora është shembulli i shkëlqyer i kësaj pasurie. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm thelbin moral e qytetërimor të punëve të kryera në qytet.

Vlora është shembulli se si mund të iniciohet një marrëveshje shoqërore për zhvillim.

Nëse opozita vijon të rrojë me makthet e Gërdecit, 21 Janarit, thyerjeve të brendshme e problemeve të identitetit, e sigurt, pa asnjë dyshim, është se do të ketë kohë të merret me veten edhe katër vite të tjera. Fiton edhe ajo, opozita, në këtë mes. Në Vlorë, dimri përballohet lehtë, edhe me një xhaketë. Vlora ka shumë ditë me diell, por, sidoqoftë, bujrum edhe për stuhitë që lut opozita. Do të ketë gjithnjë e më pak raste të festojë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Fier/ Makina përplas këmbësorin, 71-vjeçari në gjendje të rëndë

Një aksident ka ndodhur në rrugën “Jani Bakalli”, në Fier. Një automjet ka përplasur këmbësorin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në krye të bandës shqiptarët, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit në Selanik

50 persona janë dënuar nga Gjykata e Apelit në Selanik për trafikim të lëndëve narkotike në ambientet e Universitetit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditi me send të fortë një grua pas sherrit për motive të dobëta, e pëson 51-vjeçarja, banuese në Vlorë

Policia e Fierit ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj një 51-vjeçareje, banuese në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Theu masën “Arrest në shtëpi”, pranga 26-vjeçarit

Arrestohet një 26-vjeçar në Fier, pasi akuzohet se theu masën e “Arrest në shtëpi”. Burime zyrtare…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zhduket 32-vjeçari në Tiranë

Një 32-vjeçar është zhdukur në Tiranë. Ka qenë babai i tij, 64 vjeç ai që…

LEXO ME SHUME