Categories Lajme

Rasti “Veteranët” – Ish-kryeministri Agim Çeku kërkon që të lirohet nga aktakuza

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Agim Çeku, në fjalën përfundimtare të dhënë të enjten në rastin e njohur si “Veteranët”, ka kërkuar nga gjykata që t’i hedh poshtë pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës(PSRK) në mënyrë që atë si dhe të gjithë anëtarët e komisionit t’i liroj nga aktakuza. Ai, gjatë deklarimit të tij tha se aktakuza ndaj tij është e pabazuar dhe nëse ndaj tij shpallët aktgjykim dënues, ai nuk do të mërzitët vetëm për vetën e tij, por për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

U gatu një aktakuzë tendencioze, selektive, e pa bazë, pa fakte, pa prova dhe nga ky proces gjyqësor kush ka dashtë me dëgju e ka vërtetu një gjë të tillë. Nuk pres asgjë tjetër përpos t’i hidhni të gjitha këto pretendime të PSRK-së dhe të më lironi mua dhe të gjithë anëtarët e tjerë të komisionit. Ju mund edhe të më dënoni, por besoni se në atë rast, normal se do të mërzitëm për vetën, por ma shumë sinqerisht do të mërzitëm për Kosovën se çfarë sistemi të drejtësisë paska, mos e bëni këtë gabim”, ka deklaruar Çeku. Tutje, ai është shprehur i befasuar nga fjala përfundimtare e prokurorit Valdet Gashi, i cili kërkoi që gjykata të shpallë aktgjykim dënues për të gjithë të akuzuarit, pasi sipas tij, kjo nuk mund të bëhet pa prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duke e dëgjuar prokurorin, mu dukë që po e dëgjoj një njeri duke folur i cili nuk ka qenë fare prezent në këtë proces. Edhe më parë e kam thënë se kjo është qasje e gabuar e prokurorisë se si tenton t’i pastroj listat sepse po fillon nga kulmi, pa bërë asnjë hetim për 19,500 veteranët e pretenduar, duhet të bëhet një auditim, një proces administrativ e jo të shkohet me proces gjyqësor”, tha Çeku. Ndërsa, duke iu referuar ish-prokurorit Elez Blakaj, i cili ka punuar në këtë lëndë në fazën e hetimeve, Çeku tha se Blakaj, ka pasur mungesë absolute të njohurive ushtarake, mungesë absolute për organizimin ushtarak dhe mungesë absolute për organizimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Tutje, i akuzuari Çeku ka thënë se është i bindur se detyrën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka kryer me nder, përgjegjësi dhe në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren me të cilin ka punuar komisioni që ai ka udhëhequr.

“Besoj që e dini që deri në konfirmimin e kësaj aktakuze nga ana juaj, unë kam kry detyra shumë të rëndësishme zyrtare, qoftë në luftë, qoftë pas luftës, gjatë kësaj kohe kam qenë edhe kryesues dhe anëtarë i shumë komisioneve qeveritare, përgjatë gjithë kësaj kohe dhe pune, detyrat i kam kryer me nder, përgjegjësi, përkushtim të plotë dhe duke pas në mend gjithmonë ligjet dhe vetëm ligjet, askush deri më këtë rast nuk ka ngritur asnjë dyshim, në asnjë rast as nuk jam përfol për ndonjë keqpërdorim të pozitës zyrtare, në këtë frymë e kam kryer edhe këtë detyrë të kryesuesit shtetëror për verifikim, pavarësisht çka tha prokurori dhe ai i pari, kam qenë i bindur se këtë detyrë e kam kryer me nder, me përgjegjësi dhe në përputhje me ligj dhe rregullore. I kam përcjellë të gjitha provat dhe dëshmitarët, dhe nuk më është lëkundur bindja se kam punuar drejtë sipas ligjeve dhe rregulloreve”, shtoi i akuzuari Çeku.

Ndërsa lirimin nga aktakuza për Çekun, e kërkoi edhe mbrojtësi i tij, avokati Ramë Gashi, pasi sipas tij, PSRK-ja, nuk ka arritur që me asnjë provë të dëshmoi se Çeku, ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar. “Çdo pretendim i akuzës për rritjen e veteranëve është i paargumentuar me aktakuzë dhe si i tillë i pabazuar”, tha Gashi, Ai shtoi se me procesverbale të takimeve të komisionit, është vërtetuar se Çeku në çdo rast ka kërkuar nga anëtarët e komisionit të respektohen të gjitha dispozitat ligjore me të cilat ata si komision kanë punuar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti. Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së  Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Fier/ Makina përplas këmbësorin, 71-vjeçari në gjendje të rëndë

Një aksident ka ndodhur në rrugën “Jani Bakalli”, në Fier. Një automjet ka përplasur këmbësorin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në krye të bandës shqiptarët, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit në Selanik

50 persona janë dënuar nga Gjykata e Apelit në Selanik për trafikim të lëndëve narkotike në ambientet e Universitetit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditi me send të fortë një grua pas sherrit për motive të dobëta, e pëson 51-vjeçarja, banuese në Vlorë

Policia e Fierit ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj një 51-vjeçareje, banuese në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Theu masën “Arrest në shtëpi”, pranga 26-vjeçarit

Arrestohet një 26-vjeçar në Fier, pasi akuzohet se theu masën e “Arrest në shtëpi”. Burime zyrtare…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zhduket 32-vjeçari në Tiranë

Një 32-vjeçar është zhdukur në Tiranë. Ka qenë babai i tij, 64 vjeç ai që…

LEXO ME SHUME