Prej 10 ditësh të moshuarit në fshatin Palasë janë në panik nga hajdutët. Ata hyjnë nëpër shtëpi të veshur si punëtore të ujësjellësit. Objektivi më i lehtë duket se janë të moshuarat që jetojnë vetëm. Pleqtë thonë se atje grabitet ditë e natë dhe madje u kërcënohet edhe jeta.
Mesa duket këto vjedhje shoqërohen edhe me akte të turpshme. Disa muaj më parë ata tregojnë se një prej të moshuarave është dhunuar seksualisht. “Ndihemi të frikësuar të jetojmë në shtëpitë tona”-shprehen me lot në sy banoret, të mbledhur bashkë në lokalin e fshatit.
Hajdutët vjedhin paratë e pensionit e çfarë të gjejnë si psh: pashaporta/karta Identiteti apo veshje. Fshati Palasë është fshat bregdetar kryesisht me banorë të moshës së tretë. Sezoni veror e bën këtë fshat më të populluar e mesa duket mbyllja e tij pasohet nga vjedhje në shtëpitë e të moshuarve që përbëjnë shumicën e banorëve. Edhe pse hetimet vazhdojnë askush nuk është vënë në pranga.