Categories Lajme

Zbulohen detaje nga arrestimi i ish-kryebashkiakut Kajmaku: Si ra në kurthin e shitësit të vazove të luleve

Agim Kajmaku u bë i njohur ditën që pranoi të kandidonte nën siglën e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të 2019-ës. Duke qenë i vetëm në garë, emri i tij shpejt do të lakohej si njeri me precedentë penalë në vendet e BE-së.

Por pavarësisht të dhënave dhe të thënave, Agim Kajmaku u vendos në krye të Bashkisë Vorë dhe madje krah tij në atë fushatë gjysmake, jo pak herë u shfaq edhe Kryeministri i vendit. Mosdeklarimi i dënimit që kishte marrë në Greqi në formularin e dekriminalizimit bëri që Partia Demokratike t‘i drejtohej Prokurorisë së Tiranës për emrin e tij.

Një letërporosi në drejtim të autoriteteve greke solli përgjigje pozitive për dënimin e tij për falsifikim parash. Kajmaku i Vorës doli para drejtësisë sonë. U akuzua, u hetua, u dënua, u lirua dhe emri i tij jo pak herë përmendej nga opozita si një prej personave të inkriminuar.

Por në momentin kur ai doli në gjykatë dhe prokuroria kërkoi pushimin e akuzave dhe gjykata e pranoi kërkesën e prokurorit, Kajmaku gjeti mundësinë jo vetëm të largohej nga vendi, por edhe të niste një aktivitet tjetër në Itali. Apeli më pas e shpalli në kërkim, por Kajmaku u vendos në Itali dhe, po atje, ai u arrestua rreth dy javë më parë me të paktën 20 kg kokainë.

Të dhënat e arrestimit të tij u bënë publike vetëm dy ditë më parë, ndërsa mediat italiane, përveç detajeve të arrestimet, publikuan edhe videot e momentit të arrestimit të tij, së bashku me nipin. Hetimet për aktivitetin e ish-kryebashkiakut thuhet se kishin nisur të paktën dy muaj para se sa të bëhej goditja. Ai ishte ndjekur, vëzhguar dhe përgjuar derisa Policia antidrogë e zonës në të cilën qëndronte Kajmaku, i shkoi për kontroll. Me informacione të sakta, ata e gjetën lëndën narkotike në vazot e luleve që Kajmaku mbante.

ARRESTIMI

Sipas të dhënave të Policisë sonë, bëhet me dije se ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, ka rënë në prangat e Policisë italiane nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Kajmaku është ndaluar në 27 maj, pasi u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto, së bashku me nipin e tij. Droga, që u gjet e fshehur brenda disa vazo lulesh, nëse do të shitej, sipas përllogaritjeve të Policisë italiane, do të kapte vlerën e 1 milion eurove. Ish-kryebashkiaku, klient prej kohësh në një fidanishte të njohur në Grottamare, pasi bleu bimët, bashkë me nipin, shkuan në shtëpi.

Me sa duket, Kajmaku ka rënë në sytë e pronarit të fidanishtes që shiste lulet me vazo që ai i blinte bashkë me nipin e tij. Megjithatë, Policia italiane, menjëherë sapo e ka vënë në pranga Kajmakun, ka lajmëruar dhe njëherësh ka kërkuar informacion nga Policia e Shtetit shqiptar. Këta të fundit e kanë mbajtur fshehur lajmin e arrestimit të tij, derisa orëve të vona të së shtunës, mediat italiane e bënë publik bashkë me detajet e operacionit të bujshëm.

Tashmë Kajmaku do të hetohet dhe do të gjykohet nga drejtësia e vendit fqinj për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërkohë që bëhet me dije se Kajmaku ishte fiksuar si një person i ri në zonën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Nuk dihet në fakt roli i tij ende nëse vepronte i vetëm, pra veç me nipin apo ishte pjesë e ndonjë grupi kriminal. Policia italiane, në bashkëpunim me prokurorinë, vijojnë të mbledhin prova mbi aktivitetin e ish-kryebashkiakut të Vorës në Itali.

Si dështuan 13 operacione policore për kapjen e Kajmakut

Ishte data 20 nëntor e vitit 2019 kur Prokuroria e Tiranës lëshoi një urdhër të pazakontë që lidhej me emrin e ish-kryebashkiakut të Vorës, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhërarrest 10 ditë më parë. U tha se asnjë noter nuk do të pranonte t‘i lëshonte prokurë për mbrojtës shtetasit Agim Kajmaku, pa lajmëruar Policinë, në të kundërt do të ketë penalizime.

Dhe në fakt ashtu ndodhi. Asokohe, përveç këtij urdhri, prokuroria, me anë të sektorit kundër krimit ekonomik, i kërkoi Kajmakut që të justifikonte pasurinë, pasi edhe sektori i krimit ekonomik në Policinë e Shtetit kishte nisur verifikimin për pastrim parash ndaj tij dhe familjarëve të tij. U dërguan shkresa duke iu kërkuar informacion bankave të nivelit të dytë për llogaritë e tij bankare; po ashtu edhe hipotekës, për të verifikuar pasuritë e paluajtshme. Për më pak se 10 ditë, Policia u fut në operacion të paktën 13 herë për ta sjellë në pranga ish-kryebashkiakun, i cili u fsheh dhe Policia doli gjithnjë duar bosh.

Madje u tha se dyshohej edhe se operacioni për prangosjen e tij u dekonspirua nga punonjës të Policisë së Shtetit. Për këtë arsye, 7 prej tyre u vunë në verifikim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Prej disa ditësh, Prokuroria dhe Policia vazhduan negociatat me familjarët dhe avokatin për vetëdorëzimin e Agim Kajmakut, por as ajo nuk ndodhi në atë kohë.

Ndaj Kajmakut, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë, ndërsa akuzohet nga prokuroria për tri vepra penale./ Panorama

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Fier/ Makina përplas këmbësorin, 71-vjeçari në gjendje të rëndë

Një aksident ka ndodhur në rrugën “Jani Bakalli”, në Fier. Një automjet ka përplasur këmbësorin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në krye të bandës shqiptarët, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit në Selanik

50 persona janë dënuar nga Gjykata e Apelit në Selanik për trafikim të lëndëve narkotike në ambientet e Universitetit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditi me send të fortë një grua pas sherrit për motive të dobëta, e pëson 51-vjeçarja, banuese në Vlorë

Policia e Fierit ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj një 51-vjeçareje, banuese në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Theu masën “Arrest në shtëpi”, pranga 26-vjeçarit

Arrestohet një 26-vjeçar në Fier, pasi akuzohet se theu masën e “Arrest në shtëpi”. Burime zyrtare…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zhduket 32-vjeçari në Tiranë

Një 32-vjeçar është zhdukur në Tiranë. Ka qenë babai i tij, 64 vjeç ai që…

LEXO ME SHUME