Për shkak të situatës, Ministria e Arsimit pezulloi procesin mësimor ndërsa të gjithë nxënësit zhvillonin mësimin online. Por kjo mënyrë nuk ka dhënë shumë rezultate tek fëmijët e klasës së parë. Sigerio Nuredini është nxënës i shkollës “Gjon Buzuku” në klasë të parë dhe mësimi online apo në kanalet televizive ka lënë boshllëqe.
“Nuk kam mësuar në shtëpi”. Sigerio tregon se i mungon shkolla dhe shpjegimi i mësueses. Ndërsa nëna e tij shprehet se kjo situatë e ka lënë pas me mësime, pasi në shtëpi nuk arrin të përqëndrohet. “Nuk i di fare as shkronjat e as nuk i bashkon. Vijnë kalamajtë dhe trokasin tek dera hajde dil të luajmë. Nuk e lënë të mësojë.” Mësimi i zhvilluar online është gjetur si e vetmja mënyrë që nxënësit dhe mësuesit të vazhdojnë të zhvillojnë mësimet, ku thuajse në të gjitha shkollat në vend janë krijuar klasa në rrjete sociale për të dhënë mësim.