Presidenti Ilir Meta ka uruar së fundmi besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. “Të dashur qytetarë shqiptarë! Të dashur besimtarë ortodoksë! Pashkë të mbara e të bardha për të gjithë! Gëzuar për shumë vjet, shëndet të plotë, mirësi e begati në çdo familje!”, shkruan ndër të tjera Meta në Facebook.
Postimi i plotë i Kreut të Shtetit: “Të dashur qytetarë shqiptarë!
Të dashur besimtarë ortodoksë! Pashkë të mbara e të bardha për të gjithë! Gëzuar për shumë vjet, shëndet të plotë, mirësi e begati në çdo familje! Sivjet, një armik i padukshëm, që po kushtëzon mendimet dhe sjelljet tona të përditshme, na detyron mos ta kremtojmë siç do donim këtë Festë të Madhe e të Shenjtë. As Dritën e Ngjalljes nuk do mundemi dot ta marrim sot në Kishë dhe ta kalojmë nga dora në dorë, për ta çuar në shtëpitë tona.
Por Krishti i Ngjallur na mëson: MOS KINI FRIKË! Nxënësit e Tij të vërtetë, duhet të bëhen “dritë e botës”. Kështu le të shndrisë drita juaj përpara njerëzve, që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin tuaj në qiej. Me kurajën dhe shpresën që na fal Krishti i Ngjallur dhe me Ngjalljen brenda nesh, le ta përjetojmë këtë Ditë të Bekuar dhe mesazhin e saj në thellësitë e zemrës dhe shpirtit tonë, dhe ta përhapim atë jo vetëm brenda familjeve tona, por edhe tek të afërmit e miqtë tanë që ndodhen fizikisht larg nesh, tek të moshuarit, të sëmurët, të vetmuarit dhe njerëzit më në nevojë.
Le të falim sot më shumë solidaritet mbarëkombëtar dhe paqe, me fjalë e vepra të thjeshta dashurie, le të ndajmë sot të mirat dhe gëzimet tona, për të ndriçuar honet e errëta të ndasive, zbrazëtisë së brendshme, vetmisë dhe varfërisë, veçanërisht të atyre që vuajnë nga mjerimi, dhimbjet dhe braktisja. Le të shpërndajmë sot Dritën e Ngjalljes tek të gjithë, për të mbështetur njëri-tjetrin në betejën e përgjithshme për t’u çliruar nga frika dhe pandemia dhe për t’u bashkuar me njëri-tjetrin në një përpjekje të re në të mirë të lirisë së shpirtit, drejtësisë, të vërtetës, begatisë, mirëkuptimit, pajtimit, vëllazërimit dhe dinjitetit tonë njerëzor.
Le të lutemi sot edhe për heronjtë e ditëve tona, mjekët dhe infermierët, e për këdo që është në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit dhe të sigurisë të çdo qytetari. Por edhe për priftërinjtë e klerikët që në krye të misionit të tyre hyjnor e fisnik po bëjnë aq shumë për ne të gjithë në këto momente tepër të vështira, veçanërisht për komunitetet më të përvuajtura.
Një urim të veçantë kam sot për komunitetin e dashur të shqiptarëve në Greqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prekura rëndë nga pandemia, dhe për të gjithë bashkëatdhetarët tanë kudo në botë. Uroj të kremtojmë Pashkën me frymë, energji dhe shpresa të ripërtërira, me ngjallje të vërtetë në shpirtrat e zemrat tona, për një shoqëri solidariteti dhe përgjegjësie të përbashkët.
KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!”