Për të rritur efikasitetin dhe kreativitetin e nëpunësve, shumë menaxherë në veçanti ata në fushën e teknologjisë informative dhe komunikimit, po u mundësojnë punonjësve të kenë një orar fleksibil si dhe po i lejojnë të punojnë jashtë zyrave. Megjithatë Finlanda ka shkuar edhe më larg, që për dallim nga vendet tjera, orarin fleksibil të punës e shohin si një e drejtë e assesi si privilegj për punonjësin, transmeton Express.
Një studim i një firme globale të kryer në 39 vende tregon se 92 për qind e firmave në Finlandë u ofrojnë të punonjësve një orar fleksibil të punës, kurse në vendin e dytë është renditur Suedia me 85 për qind të firmave që aplikojnë lehtësime të tilla.
Në anën tjetër, Japonia njihet si vendi me etikën më të rreptë të punës me 18 për qind, kurse në Greqi vetëm 26 për qind të kompanive praktikojnë orare të tilla të punës. E nga viti 2011 kur edhe janë bërë publike këto të dhëna, shumë kompani në mbarë botën kanë filluar ta ndjekin këtë trend. Qysh në vitin 1996, Finlanda ka miratuar ligjin që shumicës së të punësuarve u mundëson që në vendin e tyre të punës të shfaqen tri orë më vonesë.
E ky vend me 5.5 milionë banorë që është i njohur me sektorin e teknologjisë informative, tani ka ndërmend të shkojë edhe një hap tutje, nga viti 2020 shumica e të punësuarave do të kenë të drejtë të vendosin ku dhe kur do ta kryejnë orarin e tyre të punës. Megjithatë detyrohen të kryejnë 40 orë në javë, por edhe ato orë mund të zgjedhin nëse duan t’i kryejnë nga një vilë në zonë malore apo nga kafiteria e preferuar.