Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti kanë prezantuar ditën e sotme planin e rindërtimit të Krujës, ndërsa u tha se në një hapësirë prej 57 mijë e 737 m2 do të strehohen 370 familje. Me një komunikim në facebook, ndërsa u ndal edhe tek procesi i shpronësimit, Rama sqaroi se kompensimi nuk do të bëhet me para në dorë, por me një pronë, ose truall në sipërfaqen e re që do të ndërtohet. Për ata që nuk do të pranojnë një kompensim të tillë, Rama u shpreh se do të fillohet procedura e zakonshme e shpronësimit.
“Ofertën e parë të atyre që janë në të drejtën e tyre subjekt i marrjes së një pagese për pronën, duhet tja bëni për një shkëmbim në natyrë. Ata që do humbasin një objekt apo një hapësirë të caktuar, ju propozohet të marrin si kompensim nga ndërtimi një hapësirë shumë më të favorshme.
Propozojeni këtë gjë jo vetëm për të shmangur shpenzime të tepërta por edhe për ata që të kenë mundësi të përfitojnë një pronë të patundshme, nëse nuk duan do fillojmë me procedurën ligjore të shpronësimit. Duhet t’i paraprini që të mos humbim kohë me këtë proces“, tha Rama.