Kryedemokrati Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat ka folur në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë dhe karburanteve. Në fjalën e tij Basha u shpreh se çmimet janë rritur në të gjithë botën por në Shqipëri kanë qenë që prej 8 vitesh.
Sipas Bashës qeveria keqpërdor çdo fond e investim, ashtu siç bëri sipas tij me tërmetin dhe pandeminë. “Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve.
Me këtë bilanc të zi, me këtë qeverisje që fatkeqësitë e njerëzve i kthen në gosti milionash për ortakët e tij, detyra jonë si opozite është të ushtrojmë, edhe me ndihmën e qytetarëve, të gjithë presionin e duhur që askush të mos braktiset, askush të mos vuajë makutërinë e kësaj pakice. “- shprehet Basha.
Basha ka renditur edhe 7 propozimet që ka opozita për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. “Ndaj prioritetet në këtë moment të parë janë të qarta dhe të domosdoshme: Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti. Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;. Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve. Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët.
Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve. Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime. Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.”- shton Basha