Kryeministri Edi Rama ka folur nga tryeza e takimit me qeverinë e Kosovës duke konfirmuar se Porti i Durrësit do të jetë i përbashkët për dy shtetet dhe do të kryhen edhe zbarkimin e mallrave të Kosovës.
Rama: Marrëveshja që së shpejti do të firmosim për hyrje-daljen e mallrave na çon në një destinacion të paimagjinueshëm, deri para pak vitesh, shndërrimin e këtij porti në një port de facto edhe të Kosovës. Porti i Durrësit do të jetë dhe për zbarkimin e mallrave të Kosovës. Hyrja e mallrave në Kosovë do të trajtohet pasi të hyjnë mallrat. Ky është i rëndësishëm që porti i Durrësit të kthehet në port strategjik, gjë që e kam konstatuar me shumë kënaqësi si fakt edhe për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington para disa kohësh. Do bëjmë njohjen automatike të agjentëve doganorë të dy vendeve, njohjen e garancive në të gjitha pikat doganore dhe më tej.
Në korrik të këtij viti, kryeministri Hoti prezantoi në Tiranë tri projekte të përbashkëta që duhen zbatuar pa humbur kohë: një pikë doganore për Kosovën në Portin e Durrësit, që ngarkesat drejt Kosovës të mos kontrollohen në pikën doganore të Morinës, pika e daljes kufitare nga Shqipëria në Kosovë; ndërtimi në territorin e Shqipërisë të një hidrocentrali që do të furnizojë Kosovën me energji elektrike; ndërtimi i një hekurudhe që do të lidhë Tiranën me Prishtinën, projekt ky që sipas Hotit mund të fillojë në fund të këtij viti.