Ka përfunduar pas më shumë se dy orësh takimi mes kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, aleatit të tij në koalicion, kreut të PDK Kadri Veseli, dhe zv/kryeministrave Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli.
Ky takim është mbajtur në kryeministri, ndërsa në fund të mbledhjes asnjëri nga liderët e koalicionit nuk ka pranuar të flas para mediave.
Mediat kosovare raportojnë se temë kryesore e takimit ka qenë taksa e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës, e cila ditëve të fundit ka shkaktuar dallime ndërmjet Veselit dhe Haradinajt.
Veseli është shprehur hapur pro qëndrimeve të SHBA-ve, çka mund të çojë në një çarje të koalicionit dhe zgjedhje të parakohshme.
Ndërkaq më herët është raportuar se këshilltari i presidentit Trump, John Bolton do të telefonojë kryeministrin e Kosovës dhe presidentin Thaçi.
Kujtojmë që Uashingtoni po ushtron kohët e fundit presion mbi kreun e qeverisë Haradinaj që të heq taksën ndaj Serbisë.