Ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar në Kuvend, fshehjen e pasurisë së Kryeministrit Edi Rama, sipërfaqen e vërtetë të vilës së tij në Surrel dhe i ka bërë thirrje qytetarëve, studentëve, ta verifikojnë vetë sipërfaqen ku jeton kryeministri duke klikuar me Google Earth.
“Pse Edi Rama ka frikë dhe tmerr?! – tha Berisha, duke iu referuar Vetingut të politikanëve. Se e filloi karrierën e tij si asnjë Kryeministër, me një vilë të ndërtuar… – më falni, se dje ju dhashë informacione të gabuara, sot i kam të sakta – në 4 bunkerë me diametër 4-16 metër me sipërfaqe, në total, prej njëmijë metër katrorë! Ju ftoj ju studentë ta hidhni poshtë këtë. Por klikoni në Google Earth dhe do të gjeni gjithçka për sarajet e Surrelit.”
Berisha, duke iu drejtuar deputetëve të pS-së, në kushtet kur askush nga qeveria nuk gjendej në Kuvend, tha:
“Natyrisht, jo prapa të gjithëve, por pas disave unë shoh Shullazët, Bajrat, Lul Berishën… të cilëve ligji do t’ua shkulte dhëmbët brenda dy muajve; shoh të tjerë që janë të sklllavëruar, se kanë në krye banditin, kreun e meduzës, njeriun që pa dalë nga zyra, u çon bandave atë që denoncon, “prite se po ju denoncon”.
Të gjitha këto kanë sjellë një situatë dëshpërimi që nuk ka ekzistuar në Shqipëri. Ka sjellë një largim masiv të të rinjve shqiptarë dhe vrasje shprese në çdo zemër. Edi Ramës mund t’i vësh njëqind epitete, por njëri është më domethënës: Shpresëvrasës, që ia tha studenti në Vlorë.
Edi Rama me bandat, Lul Berishën, Pllanat, bandat e Vlorës… ia ka kyçur dyert e Evropës, Shqipërisë. A e shihni sesi dy raporte ekselente të Komisionit Europian bëhen të pabvlera?! Ky amendament do të ishte mesazhi më i fortë drejtuar BE për hapjen e atyre dyerve.
Zonja dhe zotërinj, këto që them nuk janë “fiction”. Kanë emra dhe emra kanë kockat mafioze, kumbarët dhe ndrikullat. Të gjitha në këtë mazhorancë. Ndaj ju e konsideroni këtë si “gracka ku shpirti i kriminelit kapet si laraska”. Po le të kapet shpirti i kriminelit dhe te çlirohet shpirti i qytetarit.
Jam plotësisht dakord që ka probleme që ky proces mund të përdoret për qëllime politike. Të ulemi të draftojmë ligjin që askush të mos e përdorë atë për qëllime politike, që në këto ulëse të mos ulen kockat e mafias dhe përfaqësuesit e tyre.
Pse Edi Rama ka frikë dhe tmerr? Se e filloi karrierën e tij si kryeministër me një vilë të ndërtuar – më falni, se dje ju dhashë informacione të gabuara – sot i kam të sakta – në 4 bunkerë me diametër 4-16 metër me sipërfaqe, në total, prej njëmijë metër katrorë. Ftoj ju studentë ta hidhni poshtë këtë. Por klikoni në Google Earth dhe do të gjeni gjithçka për sarajet e Surrelit,” – theksoi Berisha./ar.sh/