Presidenti rus, Vladimir, Putin tha të mërkurën se shkencëtarët rusë ishin afër krijimit të vaksinave për kancerin, që së shpejti mund të jenë të disponueshme për pacientët. Putin tha në komentet televizive se “ne kemi ardhur shumë afër krijimit të të ashtuquajturave vaksina kundër kancerit dhe ilaçe imunomoduluese të një brezi të ri”. “Shpresoj se së shpejti ato do të përdoren në mënyrë efektive si metoda të terapisë individuale,” shtoi ai, duke folur në një forum në Moskë mbi teknologjitë e ardhshme.
Putin nuk specifikoi se cilat lloje të kancerit do të synonin vaksinat e propozuara dhe as si. Një numër vendesh dhe kompanish po punojnë për vaksinat e kancerit. Vitin e kaluar qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nënshkroi një marrëveshje me BioNTech me bazë në Gjermani për të nisur provat klinike duke ofruar “trajtime të personalizuara të kancerit”, duke synuar të arrijë 10 mijë pacientë deri në vitin 2030.
Kompanitë farmaceutike Moderna dhe Merck & Co po zhvillojnë një vaksinë eksperimentale kundër kancerit që një studim i fazës së mesme tregoi se përgjysmonte mundësinë e përsëritjes ose vdekjes nga melanoma – kanceri më vdekjeprurës i lëkurës – pas tre vjet trajtimi. Aktualisht ekzistojnë gjashtë vaksina të licencuara kundër papillomaviruseve njerëzore (HPV) që shkaktojnë shumë kancere, duke përfshirë kancerin e qafës së mitrës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe vaksinat kundër hepatitit B (HBV), i cili mund të çojë në kancer të mëlçisë.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, Rusia zhvilloi vaksinën e saj Sputnik V kundër COVID-19 dhe e shiti atë në një numër vendesh, megjithëse brenda vendit u përball me hezitimin e gjerë publik për t’u vaksinuar. Vetë Putin tha se kishte marrë Sputnik, në një përpjekje për të siguruar njerëzit për efikasitetin dhe sigurinë e tij.