Serbia i kërkon Shqipërisë të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Pavarësisë së Kosovës.
Vetë kryeministrja serbe i ka dërguar dy letra homologut shqiptar, Edi Rama, ku i kërkon që të përdorë atë që ajo e quan “ndikimin e tij në Prishtinë”, në mënyrë që Kosova të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, ndër të cilat të heqë dorë nga ushtria dhe taksa 100%.
Letra e parë mban datën 16 nëntor dhe vjen e shkruar me një gjuhë, të cilën rëndom diplomacia serbe e përdor në kulmin e propagandës antishqiptare në seancat e Këshillit të Sigurimit dhe më gjerë.
Kryeministrja serbe ankohet për atë që e quan shtypje dhe krime kundër popullit të saj, që vazhdojnë papushim dhe kërcënojnë të përshkallëzohen më tej.
“Po j’ua kërkoj meqenëse keni njohur të ashtuquajturën ‘Republikë të Kosovës’ si një shtet të pavarur, në mënyrë që ju të përdorni ndikimin tuaj ndaj Prishtinës, që t’ju bindet marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Në rast se, në kundërshti me ndikimin tuaj, ata vazhdojnë të shkelin marrëveshjet dhe paktet ndërkombëtare, ju kërkoj të rishikoni pozicionin tuaj në mbështetje të Pavarësisë”, shkruhet në letrën e parë të Brnabiç, 16 nëntor 2018.
Gjashtë ditë më vonë, pa marrë një përgjigje për letrën me tone patetike, ku shqiptarët dhe qeveria në Kosovë fajësohen për fakte të pavërteta, kryeministrja serbe i drejtohet sërish Ramës me një letër të dytë.
Në këtë letër, Brnabiç, me tone më të zbutura dhe argumente ekonomike, flet për pasojat e taksës ndaj mallrave serbe dhe dëmin, që sipas saj po i bëhet klimës së biznesit në Ballkanin Perëndimor. Ajo i kërkon sërish Ramës të përdorë ndikimin dhe besimin që kanë institucionet e Kosovës tek ai, për heqjen e këtyre masave dhe i kujton faktin se Serbia nuk do të marrë masa reciproke.
Më në fund, përgjigjja i vjen dy javë më vonë, në një letër ku kryeministri shqiptar i kujton homologes serbe krimet e shtetit të saj në Kosovë, njohjet dhe përparimet e Kosovës pas luftës.
“E dashur kolege. Është thjesht e pamundur për mua që të kuptoj thirrjen tuaj ‘që të rishikojmë pozicionin tonë në mbështetje të Pavarësisë’… Qëndrimi i Shqipërisë është se Kosova është shtet i pavarur dhe vend sovran, që i merr vetë, në mënyrë të pavarur vendimet e saj, të cilat Serbia dhe të tjerët duhet t’i respektojnë, si reflektim i vullnetit sovran të popullit të Kosovës nëpërmjet udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, thuhet në përgjigjen e Ramës, më 3 dhjetor.
Rama i kujton Brnabiçit angazhimet e tij, së bashku me presidentin e saj Aleksandar Vuçiç, dhe se kanë rëndë dakord të arrijnë pajtimin përmes bashkëpunimit rajonal, gjë që ju – thotë kryeministri, – e keni shkelur me pengesat që po i nxirrni Kosovës për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare, si INTERPOL apo UNESCO.
“Shqipëria e ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Por, nuk mund të mos dëshmojmë se nën maskën e dialogut, Serbia ka ndërmarrë pengesa dhe akte armiqësore kundër Kosovës, të cilat janë të dëmshme për shpirtin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, gjë që nuk është e denjë për një shtet kandidat për në BE. Ne besojmë se ndjekja e rrugës së dialogut, me sinqeritet dhe realizëm, do të jetë e vetmja alternativë e suksesshme për të arritur zgjidhje të detyrueshme dhe të qëndrueshme për të dyja palët, si dhe paqen e stabilitetin në rajon”, thuhet më tej në përgjigjen e Ramës./Top-Channel