Qytetarët shqiptarët të cilët ende nuk kanë regjistruar vend-banimin e tyre apo adresën e rezidencës, tashmë mund ta bëjnë këtë pa penalizime, për të paktën gjashtë muajt e ardhshëm, pas vendimit të marrë nga qeveria dhe votimit në Kuvend javën e shkuar, të ndryshimeve në ligj për Gjendjen Civile.
Gjithashtu në ndryshimet e ndërmarra vihet re dhe lehtësira për qytetarët, fëmijët e të cilëve kanë lindur jashtë vendit, por që kanë problem me dokumentacionin.
Kreu i Zyrës së Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare bëri të ditur se “një ndryshimi i rëndësishëm i ligjit lidhet me aktet e lindjes, për fëmijët e lindur jashtë Shqipërisë”.
“Në momentin që konstatohet se ky akt lindje ka të dhëna të pasakta (ndodh zakonisht me të lindurit në Greqi) atëherë qytetari i drejtohet gjykatës dhe vendimi i gjykatës zbatohet nga Gjendja Civile”, tha Doracaj për ATSH.
“Një pikë tjetër e rëndësishme ka të bëjë me regjistrimin e vend-banesave. Për herë të dytë qeveria shqiptare po tentonte të kthejë në ligjshmëri këtë problematikë, katrahurë. Pra çdo shtetas e ka për detyrë ta bëjë këtë, pasi kjo nuk është vetëm e mirë e shtetit, pasi ky shtetas në këtë mënyrë do të marri shërbime në zonën ku jeton”, vijoi Doracaj për ATSH.

“Duhen vetëm dy dokumente, kopja e kartës së identitetit dhe një kopje e dokumentit që vërteton marrëdhënien juridike të personit me pronësisë, qira, pronar, dokument blerje të truallit…etj. Për dy minuta je banorë i njësisë administrative ku ti jeton normalisht. Kjo i i shërben dhe Shtetit, pasi bëhen politikat në varësi të numrit real të banorëve. Marrim rastin e Bashkisë së Tiranës, me letra jetojnë 825 mijë shtetas, por në të vërtetë janë shumë më shumë. Pra këto persona duhet të kenë numrin real, jo virtual, për të ndërmarrë një nisëm gjithëpërfshirëse. Prandaj, duke nisur nga moment hyrjes në fuqi të ligjit, i bëjë thirrje të gjithë qytetarëve. Që brenda një periudhe 6-mujore kemi pezulluar gjobat dhe prandaj shtetasit duhet të shkojnë pranë Gjendjes Civile e të bëjnë regjistrimin “, tha Doracaj gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./atsh
