Categories Lajme

Rregull i ri për rifitimin e shtetësisë shqiptare

Për shumë shqiptarë që jetojnë në Gjermani, rruga për rifitimin e shtetësisë shqiptare nuk ka qenë e lehtë. Shqipëria tani ka ndryshuar rregullat.

Enkeleda Olldashi-Heusinger nuk e mori lehtë vendimin për të hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Edhe pse jetonte prej vitesh në Gjermani dhe e dinte që një pasaportë gjermane do t’ia lehtësonte ndjeshëm jetën – në punë, në udhëtime, në çdo marrëdhënie me shtetin – ndjenja e lidhjes me vendlindjen i mbeti gjithmonë e fortë.

Por gjithçka ndryshoi gjatë një udhëtimi nga Saranda në Korfuz. “Mbaj mend në anijen me tim shoq dhe dy miqtë tanë gjermanë. Të gjithë shtetasit e BE kaluan pa problem. Ndërsa neve shqiptarëve na mbajtën mbi një orë në një vapë të tmerrshme, pa asnjë shpjegim.” Atë ditë ajo vendosi të aplikonte për shtetësinë gjermane – duke lënë pas, me dhimbje, dokumentin shqiptar.

Një dokument që nuk ekzistonte
Gati 20 vjet më vonë, kur Gjermania, falë një ndryshimi në ligjin e shtetësisë në vitin 2024, lejoi mbajtjen e dy shtetësive, Enkeleda Olldashi-Heusinger nuk u mendua dy herë dhe nisi menjëherë aplikimin për shtetësinë shqiptare. Por procesi nuk shkoi siç kishte shpresuar. Aplikimi u bllokua kur ambasada, konkretisht seksioni konsullor në Mynih, i kërkoi një certifikatë lindjeje dhe një certifikatë familjare të lëshuara nga autoritetet gjermane. Një certifikatë lindjeje nga Gjermania mund të ketë kuptim vetëm për ata që kanë lindur në këtë vend, por për ata që kanë lindur në Shqipëri, kjo kërkesë ishte absurde. “Autoritetet gjermane çuditeshin, kur u kërkonim certifikatë lindjeje,” rrëfen Enkeleda.

Origjinali mbetet në Shqipëri
Senati i Berlinit i konfirmoi Deutsche Welles se ekziston një mundësi për të marrë një kopje të certifikatës së lindjes nga autoritetet gjermane, por vetëm nëse qytetari e regjistron vetë në gjendjen civile përmes një procedure të veçantë (“Nachbeurkundung”). Megjithatë, edhe nëse ekziston, Senati i Berlinit dyshon se ky dokument do të njihej nga autoritetet e huaja si certifikatë zyrtare lindjeje. Sipas Senatit, raste të ngjashme janë regjistruar edhe me shtetas të natyralizuar nga Vietnami dhe ish-Jugosllavia.

Shqipëria reagon pas ankesave
Enkeleda Olldashi-Heusinger nuk ishte e vetme. Ashtu si ajo, edhe shumicën e 174 qytetarëve që, sipas Ambasadës shqiptare në Gjermani, kishin paraqitur një kërkesë për rikthimin e shtetësisë shqiptare në Berlin, i preku e njëjta pengesë dokumentare.

Ata iu drejtuan mediave – përfshirë edhe Deutsche Welle – për të kërkuar zgjidhje. Dhe më në fund, në fillim të prillit, qeveria shqiptare ndërmori një ndryshim të rregullores. Tani nuk është më e nevojshme një certifikatë lindjeje nga Gjermania. Mjafton një certifikatë e lëshuar në Shqipëri – dhe ajo mund të merret edhe përmes konsullatës.

Enkeleda e kishte dorëzuar këtë certifikatë që në fillim, së bashku me të gjitha dokumentet e tjera. Ndryshimi në rregullore i hapi asaj rrugën që më parë ishte bllokuar. “Ishte e shpejtë dhe pa probleme,” tregoi ajo. “Këtë herë gjithçka shkoi qetë.”

Një ndryshim i vonuar për shumë aplikantë
Por për disa aplikantë të tjerë, kjo rregullore mund të ketë ardhur shumë vonë. Konkretisht, kjo ka prekur ata që i kishin përgatitur të gjitha dokumentet dhe që nuk morën më takim në ambasadë pas vendosjes së kërkesës së re për dy dokumente shtesë nga Gjermania – certifikatën e lindjes dhe certifikatën familjare. Për ta, ekziston shqetësimi se dokumentet e përgatitura me kosto të konsiderueshme mund të kenë humbur vlefshmërinë për shkak të afatit gjashtëmujor.

Deutsche Welle e ka pyetur Ministrinë e Brendshme në Shqipëri për të mësuar nëse do të zgjatet afati i vlefshmërisë së aplikimeve të bëra para ndryshimit të rregullores. Deri tani, nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Më shumë se një akt simbolik
Për Enkeleda Olldashi-Heusinger, edhe pse procesi ishte i lodhshëm, përpjekja ia vlejti. “Është një akt simbolik për mua,” thotë ajo. “Është vendlindja ime. Kam familje, kam shtëpi atje. Dhe ndoshta një ditë dua të kaloj më shumë kohë në Shqipëri.” Edhe pse tashmë dokumentet e saj janë për shqyrtim te Presidenca, ajo heziton të gëzohet: “Do të gëzohem vërtet vetëm kur ta kem pasaportën shqiptare në dorë.”

Enkeleda Olldashi-Heusinger prej vitesh ndërmjetëson mes kulturave, dhe u mëson turistëve gjermanë valle popullore shqiptare, në qytetin e saj të lindjes Berat.  “Nëse do të marr me të vërtetë shtetësinë shqiptare sërish, do ta festoj me grupin e radhës të turistëve në kalanë e Beratit – me një valle popullore. Dhe i gjithë grupi do të më bashkohet”, thotë ajo./DW/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

“Game Over 2” për dy të rinj në Ndroq, policia i arreston në flagrancë

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over 2”. Zbulohet në Ndroq, një lokal ku organizohej…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Morën dy makina me qira dhe s’ia kthyen më pronarit, e pëson çifti nga kryeqyteti!

Një burrë dhe një grua po hetohen së fundmi, pas denoncimit të depozituar nga pronari…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Tentoi të vriste me armë zjarri një person në Institut, arrestohet autori dhe dy shokët e tij

Tentoi të vriste me armë zjarri, një shtetas, rreth tri javë më parë, në Institut,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Çanta e braktisur me armë brenda u gjet nga fëmijët në Sarandë, zbulohet se kujt i përket

Zbardhen detaje nga ngjarja në Sarandë, ku dje u gjet një armë zjarri në rrugë.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Gazetarët e Vlorës braktisin Unionin, shoqatën e Aleksandër Cipës

Një grup prej 13 gazetarësh të Vlorës, të angazhuar aktualisht në media lokale dhe kombëtare,…

LEXO ME SHUME