Policia vijon aksion për kapjen e urdhëruesve të rrëmbimit të Jan Prenga. Aksioni është shtrirë në Shkodër, që në orët e para të mëngjesit.
Në këtë operacion për kapjen e shtetasve M.B., G.D., dhe K.G., marrin pjesë dhe forcat RENEA.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur edhe shtetasi me iniciale D.R. nga Vlora. Kujtojmë se deri më tani janë arrestuar pesë persona në lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e 49-vjeçarit, i cili u mor peng në 17 janar të këtij viti në Kamëz.
PENGMARRJA
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se pengmarrja e Jan Prengës është urdhëruar nga një grup i strukturuar kriminal, me bazë në Angli, dhe i përbërë kryesisht nga shqiptarë.
Burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë faktin se vëllai i Jan Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar mbi 300 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine.
Nga përgjimet rezulton se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion. Për këtë, mendohet se grupi kriminal ka urdhëruar marrjen peng të vëllait të tij, Jan Prenga, i cili për shkak të torturave të shumta, ka gjetur vdekjen.
Nga hetimet rezulton se katër personat e arrestuar janë thjesht ekzekutorët, që kanë dhunuar e zhdukur trupin e Jan Prengës, por urdhri ka ardhur nga një grup i strukturuar me bazë në Angli.
