Është rritur ndjeshëm numri i të prekurve me COVID-19 në Shqipëri teksa gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 34 raste të reja. Në komunikimin e përdistshëm me publikun Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 247 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 34 raste pozitive me COVID19.
“Edhe pse ka një numër të lartë të rasteve sot, pjesa më e madhe janë asimptomatikë, pra pa shenja të sëmundjes dhe kryesisht janë kontakte të rasteve pozitive të mëparshme. Vijon hetimi epidemiologjik në vatrën e Krujës, ku janë zbuluar 18 raste, të gjitha janë kontakte të rasteve të zbuluara para disa ditësh. Siç është edhe një rast në Mat, kontakt i një prej rasteve pozitive të Krujës që lidhet me vatrën në fasoneri.
Nga asnjë fasoneri tjetër nuk kemi deri më sot asnjë rast simptomatik. Kjo tregon qartë se në këtë përballje me coronavirusin, rolin kryesor e luan sjellja jonë në raport me rregullat. Lidhur me rastet e tjera të identifikuara në 24 orët e fundit, 6 raste në Kukës, kontakte të rastit të djeshëm të zbuluar, 4 raste në Tiranë, që lidhen me vatrën në institucionin e vuajtjes së dënimit, janë 2 raste në Kurbin, 1 rast në Lushnje, 1 rast në Berat dhe 1 rast i importuar nga Greqia, i identifikuar gjatë qëndrimit në karantinë në Përmet, i cili aktualisht po trajtohen në spitalin infektiv në Tiranë.
Deri në këto momente janë testuar 7015 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 712 raste,
Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 403. Aktualisht në vendin tonë 282 janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 32 të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, nga të cilët 1 është i intubuar Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive nga të cilët 2 pacientë janë të intibuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë. Pra ka një numër të qëndrueshëm të të shtruarve në spitale dhe në terapinë intensive”, tha znj. Qirjako. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mat dhe zgjerohet në Krujë, Tiranë, Kukës, Kurbin, Berat, Fier, dhe Lushnje. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tirane 289 raste
Shkodër 10 raste
Krujë 83 raste
Durrës 42 raste
Fier 37 raste
Kurbin 31 raste
Korçë 19 raste
Elbasan 18 raste
Kukës 18 raste
Lezhë 14 raste
Has 14 raste
Kavajë 9 raste
Lushnje 7 raste
Vlorë 5 raste
Pukë 5 raste
Mirditë 5 raste
Rrogozhinë 4 raste
Tropojë 4 raste
Berat 3 raste
Mallakastër 1 rast
Mat 1 rast
Distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale mbeten të vetmet armë që ne kemi në dorë si komunitet për të frenuar përhapjen e infeksionit. Prandaj i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe posaçërisht sipërmarrësve, që në kushtet e hapjes së aktivitetit ekonomik të respektojnë rigorozisht rregullat!
I’u kujtojmë përsëri të gjithë qytetarëve se deri kur të kemi vaksinën, do të na duhet të gjithëve të jetojmë dhe të punojmë duke ruajtur në nivelin maksimal vigjilencën ndaj rrezikut të infektimit. Në kushtet e lehtësimit të disa masave, bëhet akoma më e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40