Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kiberentike ka reaguar në një deklaratë zyrtare mbi sulmin kibernetik të organizatës iraniane Homeland Justice ndaj Postës Shqiptare.
Deklaratë mbi incidentin kibernetik që preku Postën Shqiptare
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon publikun se, më 25 mars 2026, u identifikua një incident kibernetik që preku infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare.
Bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Autoriteti aktivizoi të gjitha procedurat e parashikuara në protokollet e reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të posaçëm pune të përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup nisi menjëherë punën në koordinim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare, duke u fokusuar në:
kryerjen e një analize të thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm;
identifikimin e treguesve të komprometimit (IOC);
analizimin e logjeve dhe ngjarjeve në sistemet kritike;
izolimin dhe sigurimin e sistemeve për të parandaluar çdo ndikim të mëtejshëm.
Si pjesë e masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë teknike të plotë, disa shërbime u nxorën përkohësisht jashtë funksioni nga Posta Shqiptare, me rekomandimin e Autoritetit. Aktualisht, të gjitha shërbimet për publikun janë rikthyer dhe janë plotësisht funksionale.
Ndërkohë, disa të dhëna që dyshohet se janë nxjerrë jashtë sistemit kanë qarkulluar në burime të hapura dhe aktualisht po verifikohen për autenticitetin dhe origjinën e tyre. Në këtë fazë, vëllimi i të dhënave që mund të jenë ekspozuar vlerësohet i kufizuar.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cenon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar për të garantuar integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
Autoriteti do të vazhdojë të informojë publikun në mënyrë transparente për zhvillimet e mëtejshme dhe do të publikojë një raport përfundimtar pas përfundimit të analizës.
Për informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat këshillohen të mbështeten ekskluzivisht në kanalet zyrtare të komunikimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
