CIO doli sot me një pozicion të qartë ku në çdo aktivitet sportiv në botë, Rusia dhe Bjellorusia nuk mund të marrin pjesë. Aty ku nuk është i mundshëm në mënyrë ligjore, sportistët rusë apo bjellorusë do të garojnë pa flamur, himn dhe simbolet e tyre dhe sot ka ardhur dhe përplasja e parë.
Në turneun për femra në Monterrey, ukrainasja Elina Svitolina do të përballet në raundin e parë me rusen Anastasia Potapova sipas shortit, por ajo ka reaguar sot duke kërkuar që organizatorët të marrin masa. Sipas saj, duhet të respektohet vendimi nga CIO ose përndryshe do të braktisë eventin pa nisur mirë.
“Unë nuk do të luaj nesër në Monterrey, as ndonjë ndeshje kundër një sportise ruse apo bjelloruse derisa organizatat tona të kenë marrë vendimin e nevojshëm. Unë pres që këto organizata të ndjekin rekomandimet e CIO, që sportistët të garojnë të paktën nën një flamur neutral, pa himn apo flamur kombëtar. Unë nuk fajësoj atletët rusë por dua t’u bëj homazhe të gjithë sportistëve dhe veçanërisht rusëve dhe bjellorusëve që me guxim morën qëndrim kundër kësaj lufte. Mbështetja e tyre është thelbësore. Ne kërkojmë që WTA të dënojë qeverinë ruse tani dhe të anulojë të gjitha turnet e organizuara në Rusi”, u shpreh tenistja ukrainase, aktualisht raketa numër 15 në botë për femra./Ora News/.
