Familjarët e 12-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin e Tiranës si pasojë e një arresti kardiak, kanë deklaruar jashtë kamerave se djali ka qenë i shëndetshëm, merrej me aktivitet sportiv dhe nuk ka pasur probleme shëndetësore.
Prindërit kanë hedhur akuza ndaj mjekëve teksa shtojnë se pasi e kanë sjellë në Tiranë, djali është shtuar në pavionin e Covid edhe pse ai duhej të ndiqej në reanimacion. Ata thonë se djali i tyre nuk është trajtuar siç duhet në pavijonin e Covid dhe teksa e ka marrë në krah për ta dërguar te Pediatria, 12-vjeçari ka humbur jetën.
“Djali ka qenë i shëndetshëm, nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor më parë, merrej me aktivitet sportiv. Në fund të dhjetorit ka shkuar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit (me të vjella dhe temperaturë të lartë), është trajtuar në spitalin e Korçës në reanimacion. Ditën e djeshme e kemi çuar urgjent në Tiranë dhe na i shtruan në pavionin e Covid, djali tonë nuk ishte për aty ata duhet ta ndiqnin në reanimacion. U shtrua aty dhe filloi të kishte të vjella të pandërprea, ja komunikoja këtë infermieres dhe më thoshte ‘nuk ka mundësi’. Djalin nuk e trajtuan siç duhej, në një moment ai shtrëngon gjoksin fort aty e marr në krah për ta çuar tek urgjenca e pediatrisë dhe rrugës djali më mbaroi në krahë”.
Më tej ata ngrenë dyshime se si mundet që një 12-vjeçar të humb jetën nga viroza dhe thonë se ilaçet e shumta i rritën nivelin e diabetit.
“Ajo çfarë na thanë mjekët është se pësoi arrest kardiak, a mundet që nga një virozë djali të humbasë jetën?! Nuk vuante as nga diabeti as nga zemra por nga mjekimet e shumta diabeti ditën e fundit i shkoi 200. Jemi të tronditur dhe gjërat nuk duam t’i çojmë më tej, na respektoni në dhimbjen tonë”, kanë deklaruar familjarët.
Për ndarjen nga jeta të 12-vjeçarit ka reaguar edhe Klubi i Futbollit Maliq. Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, ata shkruajnë se Leo ishte , futbollisti i Maliqit U-13 dhe i shprehin ngushëllimet e sinqerta familjes së tij për këtë humbje të rëndë.
QSUT reagon për vdekjen e 12-vjeçarit. Sipas QSUT-së, i mituri u diagnostikua me miokardit akut.
Reagim për mediat lidhur me rastin e pacientit L.S., 12-vjeç
QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë. Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.
Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient.
Ndajeni këtë me të tjerët:
Artikuj të Ngjashëm