Bulevardi “Ismail Qemali” pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Punimet, të cilat janë përqendruar në segmentin rreth 300 metra nga kryqëzimi i “Cipajve” deri te shkolla industriale, po ecin me ritme të larta dhe synohet që sezonin e ardhshëm turistik të jetë gati.
Dritan Leli, Kryetari i bashkisë së Vlorës, thekson se “nuk dua të jap afate, sepse punët publike kanë treguar që kanë problematika që shfaqen gjatë rrugës, të paparashikuara. Duhet të kemi parasysh që trashëgojmë një rrjet tërësisht të amortizuar të ujësjellësave dhe kanalizimeve dhe punët publike i nxjerrin këto në pah dhe ne duam që t’i restaurojmë të gjitha. Ne shpresojmë që sezoni i ardhshëm turistik ta gjejë të përfunduar këtë vepër. Me ritmin e punimeve të deritanishme ofrohet garanci që sezoni i ardhshëm ta gjejë bulevardin dhe zonën historike të përfunduar”.
Leli u shpreh se “së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit po punohet edhe për rikonstruksionin e të gjithë fasadave në të gjithë bulevardin”.
Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë filloi në pranverë të këtij viti. Ai financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.
Bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet nga Vlora në Skelë. Pas çlirimit të Shqipërisë bulevardi Vlorë-Skelë u formatua me pasion nga i paepuri Kristo Papajani “Qytetar Nderi i Vlorës”, i cili e mbushi atë me portokalle, palma, lule të llojeve të ndryshme dhe statuja. U krijua edhe parku “Rinia” mbushur me palma, shatërvanë, statuja dhe pyll eukalipti.
Në vitin 1987 bulevardi Vlorë-Skelë u zgjerua përsëri nën drejtimin e Vasillaq Ndinit, ku u mbollën palma të tjera.