Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore sqaron se Albioni 8 vjeçar nga fshati Bashaj i Vlorës, është dërguar këtë të hënë me helikopter drejt spitalit rajonal, pasi orët e fundit gjendja e tij shëndetësore po rëndohej dhe vogëlushi po shfaqte temperaturë të lartë.
Si pasojë e motit të keq dhe dëmtimit të rrugëve, zona Bashaj – Mesaplik në Vlorë mbeti pa akses rrugor dhe menjëherë pas thirrjes për ndihmë në Njësinë e Koordinimit të Urgjencës 127, është vendosur që atje të dërgohej helikopteri.
QKUM-ja sqaron se Albioni është qëlluar me shkelmë nga mushka në pjesën e përparme të kokës, më datë 3 Janar 2026, dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Vlorës.
Aty, vogëlushi ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe është mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm. Kur ka nisur të përmirësohet, mjekët kanë vendosur që 8 vjeçari të linte spitalin dhe të dërgohej në shtëpi.
Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore thotë se orët e fundit, Albioni ka shfaqur temperaturë të lartë dhe gjendja shëndetësore ka ardhur duke u rënduar.
Në kushtet kur transporti tokësor dhe ndihma me ambulancë ishte e pamundur për shkak të terrenit të vështirë, është aktivizuar helikopteri i Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me ekipin mjekësor të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
Mjekët e parë që kanë mbërritur në zonën e fshatit Bashaj ku ka bërë ulje helikopteri, kanë kryer menjëherë vlerësimin mjekësor të situatës së 8 vjeçarit dhe kanë bërë ndërhyrje emergjente, duke stabilizuar gjendjen shëndetësore.
QKUM-ja sqaron se Albioni u transportua me sukses dhe iu dorëzua ekipit mjekësor në Spitalin Rajonal të Vlorës për trajtim të mëtejshëm.
