Categories Lajme

Vrasja brutale e 13-vjeçares shqiptare në Itali, zbulohen detaje të reja nga krimi

Detaje të reja janë zbuluar nga vdekja tragjike e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila u shty nga ballkoni nga ish i dashuri i saj.

Pyetjet që 13-vjeçarja i kishte drejtuar inteligjencës artificiale ChatGPT janë bërë pjesë e provave kyçe në procesin gjyqësor ndaj autorit të vrasjes së saj, shkruajnë mediat italiane.

Kjo evidentohet në vendimin e Gjykatës së të Miturve në Bolonjë, e cila dënoi me 17 vite burg ish-të dashurin e saj, në kohën e ngjarjes 15 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza, ku e mitura humbi jetën pasi u hodh nga ballkoni i një ndërtese.

Sipas hetimeve, Aurora kishte kërkuar ndihmë nga inteligjenca artificiale për të kuptuar marrëdhënien që po përjetonte, duke pyetur nëse duhej ta përfundonte atë dhe si të dallonte dashurinë e vërtetë nga një lidhje toksike.

Sipas trupit gjykues, marrëdhënia karakterizohej nga përndjekje dhe presion i vazhdueshëm, çka kishte krijuar tek viktima frikë për sigurinë e saj.

Pikërisht kjo frikë, sipas gjyqtarëve, e shtyu Aurorën të pranonte takimin e fundit me të riun. Ata nënvizojnë se në sjelljen e tij dominonin posesiviteti dhe xhelozia ekstreme, të shprehura edhe me qëndrime kërcënuese, të tipit: “Nëse nuk je me mua, nuk do të jesh me askënd tjetër”.

Vendimi zbulon gjithashtu se, edhe pse paramendimi nuk u provua zyrtarisht, i riu i kishte rrëfyer një shoku një ditë para ngjarjes se kishte ndërmend ta vriste vajzën. Ky detaj u bë publik përmes dëshmisë së një ish-shoku qelie. Hetimet zbuluan se ai kishte marrë me vete edhe një kaçavidë, e cila u sekuestrua më pas.

Mesazhet që ai i kishte dërguar Aurorës për takimin e fundit u konsideruan nga gjykata si shqetësuese dhe manipuluese: “Nesër është hera e fundit, pastaj kurrë më” dhe “Të premtoj se pas së premtes nuk do të të kontaktoj më”.

Sipas vendimit, Aurora, ndoshta në mënyrë paradoksale, pranoi takimin në përpjekje për të qetësuar situatën dhe për të ulur tensionin e krijuar pas vendimit të saj për t’i dhënë fund lidhjes. Por, ndërkohë, i riu kishte planifikuar ta shfrytëzonte këtë takim për të realizuar krimin.

Gjykata thekson se i dënuari nuk ka shfaqur pendesë apo ndjeshmëri ndaj viktimës. Ai fillimisht pretendoi se bëhej fjalë për një aksident, e më pas se vajza ishte vetëhedhur. Megjithatë, këto versione u hodhën poshtë nga provat, të cilat u cilësuan si “të forta dhe të pakundërshtueshme”, të mbështetura edhe nga dëshmitë e personave që panë ngjarjen.

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Vlorë/ Automjeti përfshihet nga flakët në Novoselë, policia nis hetimet

Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Novoselës, pranë autostradës…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me vranësira të dendura dhe reshje shiu me shkarkesa elektrike

Ditën e sotme (31 mars) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vendimi/ Arratisja e Altin Ndocit, lirohet nga qelia ish-drejtori i burgut të Durrësit!

Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtorin e burgut të Durrësit Indrit Cerloj, i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shkodër\ Flakët kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme një furgon pranë një servisi automjetesh

Flakët kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme një furgon pranë një servisi automjetesh, i cili funksionon…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

“Nafta falas…”/ Nga hapja e IPARD te mbështetja për fermerët dhe dëmshpërblimet, ministri Salla shpjegon ndryshimin e skemës së re

Ministri i Bujqësisë Andis Salla, ka shpjeguar sot skemën e re mbështetëse për bujqit dhe…

LEXO ME SHUME