Policia spanjolle ka zbardhur atentatin ndaj një shtetasi shqiptar 33 vjeç, ndodhur mbrëmjen e 13 prillit në një qendër tregtare në Guadalmina në Marbella të Malagës. 33-vjeçari kishte lënë takim me një tjetër, kur situata degradoi në të shtëna me armë. Shqiptari u godit 10 herë me armë zjarri duke mbetur i plagosur. Viktima shpëtoi falë ndihmës së shpejtë të ekipeve të shpëtimit.
Policia spanjolle ka arritur të identifikojë autorët, dy shtetas shqiptarë, dhe t’i arrestojë ata në Sevilje në kuadër të operacionit “Mezquita”. Personi që ka hapur zjarr rezulton me precedentë për pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje. Personi i dytë i arrestuar, rezulton se kishte organizuar takimin. Në Madrid ka rënë në pranga edhe një person i tretë, shtetas kolumbian, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohet.
Gjatë kontrollit të tre banesave, policia spanjolle ka sekuestruar 12 mijë euro, disa celularë dhe dokumente të lidhura me hetimin.
Të dyshuarit, dy prej të cilëve janë mbajtur në paraburgim, akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë, pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim.