Zbardhet relacioni i projektligjit të Amnistisë Penale që u miratua ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave dhe pritet që të depozitohet në Kuvend, ku do të marrë edhe “OK” e fundit.
Në relacion, thuhet se nëpërmjet këtij projektligji synohet të aplikohet një politikë lehtësuese penale për t’ju dhënë mundësi personave të dënuar të vijojnë me rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri. Po ashtu përmes kësaj nisme, synohet që të ulet mbipopullimi në burgje.
“Nëpërmjet instrumentit të amnistisë u jepet mundësia personave që kanë kryer vepra penale të ri integrohen në shoqëri në liri, duke shmangur aplikimin e masave represive. Bazuar në standardet ndërkombëtare është vlerësuar se kufizimi i lirisë dhe zbatimi i dënimeve penale ndëshkuese duhet parë si masë e fundit e cila duhet të jetë në proporcion me shkeljen e kryer dhe rrezikshmërinë e personit. Në rastet e veprave penale të lehta konsiderohet se dënimi me burgim mund të shmanget bazuar në parimin e humanizmit duke i krijuar personit rrethanat të provojë në liri se është rehabilituar/korrigjuar dhe do të parandalohet kryerja e veprave penale në të ardhmen.”, thuhet në relacion.
Nga amnistia përjashtohen të dënuarit që paraqesin rrezikshmëri të theksuar dhe kanë të bëjnë me vepra penale kundër njerëzimit si vrasja, plagosja, dhuna në familje, kundër mjedisit, terrorizmit, korrupsioni etj. Gjithashtu përjashtohen nga amnistia personat e dënuar me burg përjetë apo ata që janë gjykuar nga GJKKO si edhe ata që i janë shmangur drejtësisë.
“Konkretisht, nga kjo amnisti përfitojnë:
Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe personave të dënuar me mbi 3 vjet, por u që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet
Të dënuara gra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet, dhe grave që janë dënuar me venim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet
Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 50 vjeç
Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 60 vjeç.
Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.”, thuhet në relacion.
Rreth 380 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, nga të cilët 4 janë të mitur, 5 femra dhe 7 shtetas të huaj. Ulje dënimi përfitojnë rreth 900 persona, nga të cilët 10 janë gra, 3 të mitur dhe 12 të huaj.
Po ashtu, nëpërmjet shuarjes së ndjekjes penale, shteti heq dorë nga hetimi apo dënimi i disa veprave penale të cilat konsiderohen se nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore dhe nuk shfaqen si fenomene shqetësuese.
Konkretisht, projektligji parashikon edhe pushimin e ndjekjes penale për të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 31.12.2025, për të cilat Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikojnë një dënim me burgim në maksimum deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të një kategorie veprash penale të cilat edhe pse dënohen deri në 3 vite burgim, paraqesin një rrezikshmëri të caktuar shoqërore.
