Kreu i qeverisë Edi Rama ia ka deleguar kompetencat e ministrit të jashtëm të propozuarit të tij Gent Cakaj, duke kaluar kështu mbi qëndrimin refuzues të presidentit Meta. Duke qenë se Cakaj është zëvendësministër i parë ai do të përfaqësojë Shqipërinë, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit.
“Kjo është fjala ime më e shkurtër, unë i nënshkruari Edi Rama ia delegoj detyrën e ministrit të jashtëm zëvendësministrit të jashtëm Gent Cakajt, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë si brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Rama.
Pa kësaj fjalie të shkurtër të Ramës, radha për të shprehur vlerësimet ndaj kryeministrit ishte e Cakajt, i cili komentoi edhe zërat e shumtë që janë shprehur kundër emërimit të tij.
Cakaj u shpreh se mosha e tij e re u konsiderua faj, në një kohë që duhej të ishte një burim energjie ndryshe në drejtimin e ministrisë së jashtme.
Kujtojmë që Gent Cakajt ishte një emër që ngjalli shumë debate mes Ramës dhe Metës, pasi Presidenti refuzoi që ta dekretonte, duke thënë se ai përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas Metës Cakaj nuk ka përvojën dhe eksperiencën e duhur për të drejtuar politikën e jashtme të vendit, në një kohë kur Shqipërinë e presin sfida të reja integruese.
Ndërkohë në këtë delegim detyrash nuk ka munguar as rezymeja e Ditmir Bushatit për pesë vitet në krye të Ministrisë së Jashtme.
“Ministria që po lë pas është shumë herë më e mirë dhe solide për t’u përballur me sfidat e kohës se ç ‘ishte 5 vjet e gjysëm më parë. Po lë pas një ekip ambicioz që me dinjitet punon për Shqipërinë, bashkëpunon për një rajon më të begatë dhe kontribuon për një Europë më të sigurt.
Asnjë nga këto arritje nuk do të ishte e mundur pa besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe të kolegëve të kabinetit qeveritar. Partnerët ndërkombëtarë me të cilët kam punuar dhe ndarë sfidat e kohës kanë qenë një ndihmesë e madhe në përmbushjen e objektivave. Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë.
Por një gjë është e sigurt: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes. Faleminderit! Ju priftë e mbara!”, u shpreh Bushati.