Lajme

“Mafia po na terrorizon me eksploziv”, Prokurori surprizon pronarin: “Si ta kesh kismet”

Shpërthime tritoli, vendosje eksplozivi dhe tentativë vrasjeje kanë ndodhur gjatë dy viteve të fundit në zonën e Ksamilit, në Sarandë. “Fiks Fare” investigoi problematikat në një pronë më shumë se 100 hektarë, e cila i është kthyer një ish-pronari, por më vonë vendimi i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave doli i falsifikuar.

Zyrtarët u dënuan dhe prona u sekuestrua nga shteti. Por, prona iu shit palëve të treta pa dokumente, të cilët nuk e kanë të regjistruar në hipotekë. Megjithëse s’kanë letra, kanë shkuar disa herë në zonë, kanë prerë pemë, kanë djegur disa njësi shërbimi të banorëve vendas, ndërsa ka pasur edhe tentativa vrasjeje për këtë pronë.

Deri më tani, policia dhe prokuroria nuk kanë vepruar. Madje, prokurori i çështjes i thotë një qytetari, të cilit pak javë më parë i është bërë një atentat, “çfarë kismeti të kesh”.

Disa banorë dhe tregtarë në Ksamil u ankuan se në banesat dhe njësitë e tyre të shërbimit, kohët e fundit janë vendosur eksploziv dhe disa janë djegur. Ata janë ankuar në instancat përkatëse, por deri më tani nuk janë marrë masa. Sipas tyre, ngjarje të tilla përsëriten çdo javë, ndërkohë që policia dhe prokuroria ende nuk kanë zbardhur ndonjë prej tyre.

“Jemi në Ksamil prej 44 vitesh. E gjithë lufta po bëhet për tokat. Këtu ka qenë një pretendent, Rebani Boçaj. Prona ka zbritur nga individi në individ, këta sjellin çdo vit grupe njerëzish për të bërë shantazhimin që mund ta hajë qytetari. Kjo është pjesa që ndihemi të pasigurtë. Prokuroria dhe policia janë krah me ata”, thotë një qytetar.

Sipas tij, në zonë vjen një person i quajtur Spiro Iljadhi, i cili e pretendon këtë pronë.

“Ai ka ardhur një ditë në mëngjes, nëpërmjet një polici, ka marrë skrepin. Para goditjes, kemi bërë një telefonatë në polici, por policia na u përgjigj pas 3 orësh. Ai na ka kërcënuar me jetë. Ky individ ka lidhje të forta në shtet”, thotë qytetari.

Më tej shpjegon se proceset gjyqësore kanë filluar që në vitin 2012. Sipas tyre, toka është e bllokuar dhe as nuk mund të shitet dhe ndërtohet. Madje, ka vënë sekuestro edhe vet Këshilli i Ministrave.

“Unë kam një lokal buzë detit, në proces legalizimi. Para dy muajsh më kanë ardhur një person Spiro Iljadhi. Më ka bërë nja dy kërcënime dhe më mbrapa më kanë vendosur tritol para godinës. Për fatin e mirë nuk plasi. Tritolin e gjeta në mëngjes, erdhi policia, bëri ca procedura dhe ka ngelur vetëm atje. Frikë kam, vetëm lëviz”, thotë ai.

“Fiks Fare” e ka ndjekur këtë problematikë edhe vite më parë. Në fund të vitit 2017, banorët e Ksamilit u ankuan se i njëjti individ, Spiro Iljadhi kishte prerë një sipërfaqe të gjelbër në atë zonë dhe askush nuk mbajti përgjegjësi.

Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” biseduan edhe me Hajri Markun, i cili i ka shpëtuar një atentati në muajin shkurt 2019.

“Kur dola në një kryqëzim në Sarandë, afër shtëpisë sime, shoh 5 makina. I lashë të kalonin. Kur nga makina doli Spiro Iljadhi dhe mbushi armën në makinë. Kishte pistoletë. Dhe nga eksperti doli pistoletë TT. Bëra prapakthehu me makinë dhe për fat të mirë kishte kamera. E gjithë ngjarja është filmuar”, thotë Marku.

Nga kamerat rezulton se rreth 6 a 7 persona ndjekin automjetin e Markut. Në duar mbajnë sende.

“S’jam konfliktuar asnjëherë me atë zotërinë, ai donte të merrte disa toka nga Rebani Boçaj, që ai do tokat e Ksamilit, i do anës detit. Ai qëlloi me armë dhe në vendngjarje ngeli gëzhoja. Bëra kallëzim dhe presim prokurorinë ç’do bëjë. Por prokuroria s’ka bërë ndonjë lëvizje. Atë zotërinë s’e kanë thirrur asnjëherë. Është vënë dinamit. Mua më është vënë dhe tritol. Tritoli u gjet nga mbrapa lokalit, vetëm derën kishte prishur”, thotë ai.

Qytetari shkon në Prokurorinë e Sarandës, takon prokurorin Ilir Hoxha, i cili i thotë se po bëhen hetime. I thotë se më erdhën 20 vetë, i thotë ata do marrin aq sa kanë. Prokurori i thotë është ngjarje e rëndë, e disa ngjarjeve të njëpasnjëshme, por prapë i thotë aq sa do të ngarkohet. Jo çdo gjë i thotë që mund të thuash ti si qytetar. Qytetari i thotë më është djegur shtëpia, jam njeri familjar. Prokurori i përgjigjet se do të bëjë aq sa i takon, çfarë të ketë bërë i thotë.

“Mua do më vinte mirë që do vinte dikush të thoshte se gjërat janë normalizuar, se jeta e përditshme është më e gjatë sesa një çështje penale”, i thotë prokurori qytetarit. Por, qytetari i thotë se nëse nuk vepron shteti, do të mbrojë veten. Por, prokurori me një qetësi olimpike i përgjigjet se “ç’të jetë kismeti”.

“Fiksi” ka pyetur nga viti 2017 deri në 2019 në Bashkinë e Sarandës. Në 2017, Njësia Administrative tha se nuk ka dhënë asnjë leje për rrethimin e zonës nga Rebani Boçaj, apo Spiro Iljadhi. Ndërkohë, në vitin 2019, juristja e Bashkisë së Sarandës, Aida Demi thotë se “prona është me masë kufizimi nga Task Forca që është ngritur nga qeveria për verifikimin e titujve të pronësisë”. Sipas saj, kjo pronë me vendim gjykate ka sekuestro konservative. “Nuk mund të shitet përderisa ka masë kufizimi, as mund të zhvillohet. Bashkia s’ka dhënë leje, as autorizim për kryerje punimesh”, thotë ajo.

Gazetarët pyetën edhe në ZVRPP-në Sarandë. “Prona është me masë sigurie nga Këshilli i Ministrave. Task Forca e ka bllokuar këtë pasuri që në vitin 2014. Ka një vendim nga Gjykata e Sarandës për sigurimin e padisë, për moskryerjen e veprimeve. Mbi këtë ka mbivendosje. Ka mbivendosje me vendime të tjera dhe leje legalizimi. Ka masë kufizimi, ka aplikime, privatizime, legalizimi”, thotë ajo.

BISEDË ME PROKURORIN E ÇËSHTJES ILIR HOXHA

Qytetari – Është problem kjo punë, të vinë ata 20 veta, me nga 4 makina…

Prokurori – Do shifet sa kanë, do ngarkohen, as më pak as më shumë. Ngjarja është e rëndë… Janë disa ngjarje të njëpasnjëshme. Por prapë aq sa do të ngarkohet, aq sa do të provojmë. Jo çdo gjë që mund të thuash ti si qytetar, mundet të provohet.

Qytetari – E di si është muhabeti, vetëm mos të anashkalohet muhabeti si u anashkaluan më përpara. Unë jam njeri familjar, unë shoh familjen time. Shteti të bëjë hetim të saktë, a më kupton?

Prokurori – Ne do bëjmë aq sa na takon.

Qytetari – Që ka kamera…

Prokurori – Kjo është një thikë, ti po e pe thikë, ti tmerrohesh. Kjo thikë ka këtë stad, nuk mund të quhet armë kjo. Pra mund të të vijë të kanos me thikë, pra vetëm për kanosje, nuk mund ta akuzoj për armë të ftohtë.

Qytetari – Nuk mund t’i themi armë pistoletave, të shtënave?!

Prokurori – Edhe njëherë, edhe njëherë. Çka do të vërtetojmë po të them. Të jesh i sigurt që ne nga zona jonë i themi fije-fije, do t’i bëjmë të tëra.

Qytetari – Kjo është ideja. Edhe unë këtë dua, të bëhen fije-fije.

Prokurori – Mua do më bëhej qejfi që të vijnë njerëz të thoshin që marrëdhëniet tuaja janë normalizuar, sepse jeta e përditshme është me e gjatë sesa një çështje penale. E kupton se çfarë dua të them?

Qytetari – Kjo është anë pozitive kjo që thoni ju.

Prokurori – Ana njerëzore dhe logjika njerëzore duhet të anojë nga kjo lloj zgjidhje…

Qytetari – Unë jam për vete me shpatulla në mur. Të shohim ça do bëhet, ça ka bërë zotëria dhe ça do bëjë dhe shteti dhe të shoh. Por veten time do ta mbroj, në rregull?

Prokurori – Ahahahaha.

Qytetari – Si burrat, ika. Do ta mbroj, s’e po s’më mbrojti njeri…

Prokurori – Ëhëhëhëhë.

Qytetari – Do ta mbroj vetë unë, se unë s’kam çtë bëj. A më kupton. Nuk mund të lejoj njeri tjetër të më cënojë familjen, objektet se i kam bërë me djersë dhe gjak. A e kupton, në rregull?

Prokurori – E marr vesh, e marr vesh.

Qytetari – Shpirtin ia japim vetëm Zotit, vetëm kur ta marrë ai. Jo tjetri ta marr me zor se është çik problem ajo punë, a më kupton?

Prokurori – Ça të kemi kismetin.

Qytetari – Dhe nuk janë gjëra të vogla.

Prokurori – Si ta kemi kismetin.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button