Sport

Të përkëdhelurit po e lënë në baltë skuadrën, Saimir Haxhiu i ashpër me Bushiç dhe Alvesh!

Saimir Haxhiu reagon ashpër pas “padisë” që Tomislav Bushiç ka bërë ndaj Flamurtarit në FIFA, por edhe për “zhdukjen” e Danilo Alveshit. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-futbollisti dhe ish-anëtari i bordit të klubit, thotë se ata që deri dje ishin përkëdhelur, tani po e lënë në baltë skuadrën.

Madje, ai e cilëson të papranueshëm faktin që kapiteni po ikën, duke lënë vetëm “anijen”. Haxhiu thekson se duhet kohë për të kryer transaksionet financiare, ndaj edhe futbollistët duhet që të jenë më të duruar. Sakaq, vlerëson qëndrimin profesionist të trajnerit Ilir Daja.

Bushiç e çon Flamurtarin në FIFA, Alvesh vazhdon plazhin në Brazil. Si e komentoni këtë gjendje?

Alvesh nuk kthehet nga Brazili pa marrë rrogën. Dikush tjetër nën zë po përgatit valixhet për t’u larguar. Edhe të mendosh që janë nga jo vetëm xhevahirët, por edhe të përkëdhelurit e klubit. Unë mendoj se po lënë në baltë Sinanin, se Flamurtarin kanë kohë që ë kanë lënë, ku emocionet e dhuruara prej tyre për publikun vlonjat numërohen me gishtat e dorës, pa llogaritur pastaj se e mbyllin kampionatin me 6 apo shtatë gola në sezon.

Kur shiriti i kapitenit kaloi nga Veliu të Bushiç, si vlonjat u ndjeva pak keq, por duke gjykuar se Bushiç do tërhiqte skuadrën apo do ishte shembull në grup, e pranova në heshtje verdiktin e skuadrës. Pikërisht, është kapiteni që braktis anijen, mosmirënjohës ndaj presidentit për mbështetjen financiare prej vitesh, apo mosmirënjohës ndaj përpjekjeve te trajnerit dhe skuadrës për sakrificat që bëjnë përditë. Se për Flamurtarin dhe për historinë e klubit, nuk u bëhet vonë shumë. Kalimtarë janë.

Po Idrizi ka përgjegjësi në këtë situatë, pasi lojtarët në fund të fundit me rrogat jetojnë?

Unë e di shumë mirë se ata këtë e kanë punë dhe për punën duhen paguar, por nuk duhet të harrojmë se në Vlorë me Sinanin ata janë bërë njerëz të pasur. Kur mendon sa halle ka ky vend, nuk është pak të marrësh 5 apo edhe 7 mijë euro në muaj. Idrizi, Daja dhe Flamurtari janë personazhet që më shumë se kurrë duhen mbështetur në këto situata të vështira financiare për të kaluar momentin dhe filluar seriozisht punën për arritjet e sezonit.

Ju keni qenë anëtar bordi dhe e dini si funksionon, ndaj mund të thoni pse Flamurtari përfundoi në këtë krizë?

Unë kam qenë anëtar bordi, por mendoj se këto janë procedura transaksionesh dhe duan kohën e tyre. Në këto momente i takon presidentit, trajnerit dhe futbollistëve të bëhen një trup dhe ta kalojnë së bashku këtë ngërç. Unë mendoj se problemin financiar, më mirë së kushdo tjetër, e di Idrizi, për mënyrën si kalojnë lekët apo marrëveshjet që ka bërë me futbollistët.

A duhet të ndërhyjë bashkia?

Unë mendoj së bashkia apo Këshilli Bashkiak, si dhe unë personalisht, kemi mbështetur çdo iniciativë në interes të Flamurtarit. Të mos harrojmë që nuk lëvrojmë asnjë lek nga buxheti për klubin e futbollit Flamurtari, sepse menaxhohet nga kompanitë turke.

Është vetëm çështje burokratike apo ka realisht probleme ekonomike?

Unë mendoj se problemin financiar më mirë së kushdo tjetër e di Idrizi, për mënyrën si kalojnë lekët apo marrëveshjet që ka bërë me futbollistët.

Mendoni se Flamurtari po shkon drejt shpërbërjes?

Unë nuk mendoj asnjëherë se Flamurtari do të shkojë drejt shpërbërjes, sepse gjithmonë kam besuar se do gjendet një zgjidhje. Shoh presidentin pranë skuadrës, por sidomos trajnerin që vazhdon profesionalisht të drejtojë Flamurtarin. Këta më japin garancinë. Dhe këtë më mirë se askush tjetër e bën ajo familje ku secili merr përgjegjësitë e tij dhe shtrëngon dhëmbët për të evituar vështirësitë.

Si e vlerësoni qëndrimin e Dajës në këtë situatë, i cili po hesht?

Daja nuk po hesht. Ai është profesionist, por edhe një njëri i cili nuk zbret nga hëna, por i di problemet në kampionatin shqiptar dhe ul kokën e punon. Daja ka vetëm një hall, kur sheh fytyra të ngrysura në çdo seancë dhe që i duhet të sjellë sadopak humor në skuadër.

Me këto peripeci që po kalon, a mos po shkon ekipi drejt mbijetesës, pasi objektivat madhore duken drejt shuarjes?

Unë mendoj se këto situata do kalojnë dhe Flamurtari do vazhdojë të ndjekë objektivat e sezonit duke marrë pjesë në Kupat e Europës. ERMAL SIKA

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button