Shqipëria dhe Shqiptarët edhe njëherë tjetër ishin kryefjala e një aktiviteti zyrtar në zemër të Vatikanit, organizuar nga e dërguara me punë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj. Shtatori është muaji që përkujton disa përvjetorë të rëndësishëm që bashkojnë Shqipërinë dhe Vatikanin. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në Shtatorin e vitit 1991, vizita historike e Papa Françeskut 5 vjet më parë, e cila vinte 21 vite pas asaj të Papa Gjon Palit të II, apo 3 vjetori i Shenjtërimit të Nënë Terezës.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe Ministrat e Jashtëm të dy vendeve, ai i Vatikanit Paul Gallager dhe i Shqipërisë, Gent Cakaj. Kreu i dikasterit të Komunikimit, Prefekti Paulo Rofini dhe mbi 30 ambasadorë nga e gjithë bota që janë të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, mbërritën në filmotekën e Vatikanit për të ndjekur shfaqjen e filmit dokumentar “Pritja” e regjisorit, Roland Sejko. “Dokumentari sjell historinë religjioze të Shqipërisë gjatë sistemit komunist. Ai tregon jo vetëm persekutimin e klerit katolik, por të të gjitha besimeve në vend. Filmi dokumentar ka marrë spunton nga prifti shqiptar At Zef Pllubmi, që ka shkruar librin “Rrno për me tregue”. Histori të persekutimit të klerit, të cilat i shkroi nga burgu”, tha Dodaj.
Pikërisht për një periudhë të vështirë anti fetare, gjysmë shekullore, foli edhe Ministri i Jashtëm i Vatikanit, Paul Gallager. “Vizita e parë e Papa Françeskut në një vend europian që vinte 21 vite pas asaj te Papa Gjon Palit të II, mbetet e paharrueshme në memorien e popullit Shqiptar. Ishte një n i jashtëzakonshëm ku për gjysmë shekulli ishte bërë propagande antifetare”, u shpreh Gallager.
Edhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Gent Cakaj, e risolli në vëmendje vizitën e Papa Françeskut dhe dimensionin e madh që ajo pati për momentin dhe vendin ku ndodhi. “Kruciale për kohën kur ndodhi, historike për rëndësinë, mesazhin vital që u shpërndau shqiptarëve e njerëzve në gjithë botën. Vizita e Papa Françeskut i bashkoi edhe njëherë të gjitha fetë dhe e dëgjuan me vëmendje mesazhin e tij për Shqipërinë si një vend europian”, tha Cakaj. Shfaqja e filmit dokumentar dhe dëshmitë rrëqethëse të vuajtjeve të kaluara nga kleri katolik u projektuan në sallën brenda Vatikanit, që dikur kish qenë një kishë e vjetër. Të tilla aktivitete shihen me rëndësi nga ana e kreut të diplomacisë shqiptare, Gent Cakaj, sepse forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Filmi dokumentar u prit me shumë interes nga të gjithë pranishmit në sallën e filmotekës së Vatikanit ku regjisori Roland Sejko qëndroi me të ftuarit për të treguar akoma më shumë detaje rreth këtij prodhimi.