Erion Isai, një prej aktorëve të njohur të humorit ka qenë sot pjesë e emisionit të shobizit në Fax Neës, ku në një intervistë me gazetaren e Melisa Mehmetaj, zbuloi se arti mbetet profesioni i tij i parë, nga i cili nuk do të largohet asnjëherë. Sa i takon jetës mes Tiranës dhe Kolonjës, Isai tha se është bashkëshortja e tij ajo që duhet të bëjë më shumë ecejake mes qyteteve, për shkak dhe të angazhimeve të punës që ka në kryeqytet.
“Profesioni im i parë është regjisor teatri dhe aktor, posti i kryebashkiakut është i përkohshëm, aq kohë sa do të jetë. Sa herë që të gjej kohë arti nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë, kryebashkiaku është një detyrë që më është besuar. Publiku të pret i ndarë, për fatin tonë të keq, jemi ende në pikëpamje të ndara, a thua se nuk na ngroh i njëjti diell dhe nuk na lag i njëjti shi. Unë nuk lexoj kurrë komente, sepse më pëlqen komunikimi sy më sy, me personalitete të dyfishta nuk ja vlen të merresh.
Bashkëshortja ime më do aq shumë sa mirëpret çdo detyrë që unë kam marrë, ndan kohën mes Kolonjës dhe Tiranës, bashkëndajmë kohën mes të dy vendeve, ndërsa pjesa që shpenzoj më shumë kohë është në Kolonjë. Unë punoj çdo ditë që të bëj në politikë, atë që bëjnë me dëshirë artistët.
Politika është mundësia e të bërit, po e shijoj shumë këtë detyrë që kam marrë. Bota është shumë komplekse, unë punoj për një qëllim, dhe nuk ndikohem nga shija e publikut, një moment nuk mund të gjykojë një kohë, kam qëllimin që ti jap qytetit tim atë që nuk i është dhënë në 30 vite”, u shpreh Isai. Duke u ndalur te lindja e vajzës së dytë, Isai tha se ata kanë zgjedhur emrat shqiptarë, për të ruajtur sa më shumë identitetin.
“Emrin e vajzës, E’dua ka qenë mendimi i vjehrrës sime, dhe ka pasur një përshtatje. Padyshim marrëdhënia mes dy vajzave është komplekse. Jo nuk e kam medomosdoshmëri që të kem një djalë, unë jam shumë i lumtur për të dyja, dhe jam dyfish i bekuar me vajzat. Nuk jam nga ata që e kanë fiksim me patjetër që të kenë një djalë”, tha Isai në Fax News.
