Këshilli Rajonal i Lombardisë i ka kërkuar qeverisë italiane, përmes një mocioni të miratuar në mënyrë unanime, të bëjë gjithçka për të rikthyer në Itali Alvin Berishën, 11-vjeçarin shqiptar i cili gjendet në një kamp me gra dhe fëmijë të ISIS në Siri.
Mocioni i kërkon kreut rajonal të Lombardisë të ushtrojë presion te qeveria e Kryeministrit Conte, që të filloi bisedimet me qeverinë shqiptare dhe turke,(si vend kufitar me Sirinë) që ambasadat e këtyre vendeve, së bashku me ambasadën italiane, të nisin veprimet për rikthimin e Alvin në Itali.
Paola Romeon, këshilltare në këshillin rajonal të Laombardisë, tha se ‘Institucionet kanë detyrën të veprojnë, duke i mundësuar Alvin rikthimin në Itali pranë familjes’. Ajo tha gjithashtu se qeveria italiane duhet ti jap shtetësinë italiane Alvinit. “Përparësia e Rajonit të Lombardisë është rikthimi i Alvinit në shtëpi, – tha Paola Romeo.
Alvin u rrëmbye nga e nëna e tij ne vitin 2014 dhe u dërgua në Siri, ku nëna e tij iu bashkua ISIS. Gazetarët e ‘Le Iene’ arritën të gjejnë vendodhjen e tij në kampin Al-Hol, me 70 000 njerëz, ku ai u takua me babain e tij, por ata nuk kanë mundur ta nxjerrin djalin e vogël nga kampi për arsye burokratike.