Klima për investime s’ka bindur sipërmarrësit e mëdhenj gjermanë
Në ditën e bashkimit të Gjermanisë, ambasadori Peter Zingraf i kujtoi klasës politike në Shqipëri se drita jeshile e dhënë nga Berlini për hapjen e negociatave duhet të shoqërohet me plotësimin e disa reformave, që do të përmirësojnë klimën e investimeve dhe do të sjellë sipërmarrje të mëdha gjermane.
“Qeveria federale dhe Bundestagu i thanë ‘Po’ hapit të radhës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të Bashkimit Europian. Vazhdimi i reformave të nevojshme sidomos në fushën e drejtësisë dhe administratës publike dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë parakushte për këtë. Këto reforma janë edhe baza për përmirësimin e mjedisit për investitorët e huaj, të cilët mund të krijonin shumë vende pune shtesë. Investitorët gjermanë vazhdojnë të jenë të interesuar për Shqipërinë, deri tani klima për investime nuk ka arritur t’i bindë ata për investime më të mëdha”.
Teksa rikujtoi vitet e vështira të vërshimit të shqiptarëve në ambasada, Zingraf preku edhe çështjen e ndjeshme të emigrimit të të rinjve, duke theksuar se qëllimi duhet të jetë përmirësimi i kushteve të jetës së qytetarëve në Shqipëri dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë.
