“Ne do të lançojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me një afat të kufizuar, që të gjitha paratë dhe asetet t’i deklarojnë”, tha sot Kryeministri Edi Rama, në Kongresin e PS-së.
Kryeministri Rama tha sot se “rindërtimi nuk do të jetë vetëm një program strehimi, as infrastrukture, por një program rritjeje ekonomike”.
“Duke marrë parasysh se sa shumë njerëz janë shqetësuar nga OFL, sepse nuk e kuptojnë se ku mbaron OFL, faktikisht ne e dimë shumë mirë se informaliteti i parasë dhe pasurive në Shqipëri është gjigant. Ne kemi adresuar vetëm një aspekt të tij, informalitetin e shtëpive të ndërtuara pa leje, por nuk kemi adresuar sa kursime emigrantësh rrinë nën jastëk dhe sa kursime emigrantësh nuk hyjnë sot në bankë. Sa makina të blera nga emigrantët me punë të ndershme mund t’i kapi nesër ligji, sepse ligji nuk ka lidhje me ta por Shqipëria nuk mund dot të vazhdoj të paguaj për arsimin dhe vajzat kur dalin nga shkolla të shikojnë makinat më të shtrenjta me në timon injorantët më të mëdhenj të veshur me markat më luksoze. Kjo do të mbaroj”, tha Rama.
Kryeministri tha se “njerëzit në Shqipëri punojnë dhe Shqipëria nuk është me shumicë kriminelësh, as hajdutësh, por me shumicë dërrmuese njerëzish që punojnë, që nuk i sheh njeri. Keni parë ndonjëherë se sa shumë eksportohet në Shqipëri? Asnjëherë”, tha Rama.
Ai theksoi se “Shqipëria do të duhet shumë shpejt t’u thotë të gjithëve tregoni xhepat”.
Por, Rama tha se “ka një ndryshim shumë të madh mes aseteve kriminale, parasë kriminale dhe aseteve dhe parave të vëna me punë në të zezë”.
“Në të zezë kanë punuar të gjithë shqiptarët në fillim kur shkuan në emigracion. Produkti i asaj pune nuk është kriminale, prandaj ne do të lançojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me një afat të kufizuar, që të gjitha paratë dhe asetet t’i deklarojnë. Paratë t’i fusin në banka, asetet t’i deklarojnë. Jo një apo dy organizata, po bota mbarë të ngrihet të thotë kjo nuk bëhet, kjo do të bëhet sepse ne jemi këtu pëe të punuar për ata që na kanë sjellë këtu dhe për fëmijët e tyre”, tha ai.
Rama tha se “emigrantët shqiptarë nuk mundet më të rrinë të mbajnë para nëpër banka andej me 1001 vështirësi, as të sjellin këtu 5 mijë euro se i fillon pastrimi i parave. As nuk mund të tmerrohen për të blerë një shtëpi këtu të gjithë ata që nuk i kanë paratë me drogë, terrorizëm, prostitucion apo të gjitha ato krime që parashikohen te ligji special. Por të gjithë ata që janë politikanë, gjykatës, prokurorë dhe subjekte të deklarimit të pasurive këta janë të përjashtuar të gjithë. Nuk mund të amnistohet pasuria e tyre nga unë i pari, herët apo vonë do të duhet të japim llogari për çdo gjë që kemi. Secili t’i dali për Zot, aty nuk ka më pastaj socialistë e demokratë apo solidaritet. Aty ka vetëm o me punën e ndershmërinë ose shko te vendi”, tha Rama.
Kurse të tjerët, Rama tha se “në një afat kohor duhet të kenë mundësinë t’i sjellin paratë të gjitha në Shqipëri, komplet të investojnë këtu dhe t’i fusin në Bankë me një interes minimal, për të cilin ne do të tregojmë qartësisht se për çfarë do t’i përdorim, do t’i çojmë në arsim, shëndetësi dhe shërbime publike”.
Kjo do të na japë mundësinë ta shtyjmë ekonominë edhe më shumë. Të gjithë ta dinë se kur mbaron afati je te OFL, nuk ka rëndësi ke bërë apo jo krime. Nëse nuk shfrytëzon këtë kohë për t’u formalizuar me një amnisti të përgjithshme të plotë penale e fiskale të çdo gjëje që s’ka Zot të kthehet ty mbrapa e të thotë që ti ato paratë që dhe ia dhe Rilindjes, po ne jemi Besëlidhja. Por në momentin që kalon afati, kush i ka gjërat të padeklaruara sepse do të fusim edhe elementin tjetër që të gjitha pasuritë jashtë të qytetarëve do të deklarohen këtu, shteti shqiptar duhet t’i dijë dhe ka të drejtën të vij të gjëmoj deri në fund të botës nëse ke shtëpi dhe pasuri të padeklaruara”, tha Rama. ATSH
