Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, deklaroi sot se “mandatin e ardhshëm do të ketë vëmendje më të madhe për arsimin”.
Në një intervistë televizive Kushi theksoi se, “anglishtja do të jetë risi dhe vendimin e morëm pas konsultave, por edhe prindërit e donin këtë gjë ndaj menduam që ta sillnim atë gjuhë që në klasën e parë fillore”.
“Do të punojmë për një program për të rikuperuar këto humbje që patëm gjatë pandemisë dhe kjo do të ndodh menjëherë, pasi të qetësohet pak situata. Gjatë verës do të punojmë që viti tjetër të mos ketë mangësi në funksionim, sepse është prioritet edhe pjesë e programit të qeverisë”, tha Kushi.
Duke folur për situatën e mësimit në kushtet e pandemisë ministrja Kushi tha se, “në 10 bashki të vendit është vendosur që të procedojmë online. Aktualisht 57.000 nxënës marrin mësim online. Në mbarë Shqipërinë kemi kaluar në mësim të kombinuar, përveç maturantëve që bëjnë mësim në shkollë çdo ditë, pasi janë në fund të shkollës, afër provimeve dhe u nevojitet mësimi fizik”.
Sa i përket situatës së mësuesve dhe nxënësve të infektuar ministrja Kushi tha se, “çdo ditë kemi informacion për shkollat dhe për situatën që ndodhen nxënësit dhe mësuesit. Shifrat janë dinamike dhe ndryshojnë, por ne përpiqemi që mësuesit e infektuar t’i zëvendësojmë, në mënyrë që të mos kemi asnjëherë mungesa”.
“Kemi një kuotë me 1000 mësues shtesë që zëvendësojmë mësuesit e prekur nga pandemia. Kuota ka qenë e mjaftueshme dhe s’kemi pasur asnjëherë probleme sepse maksimumi i këtij stafi mbështetës që ka qenë i nevojshëm të funksiononin ka qenë vetëm gjysma e tyre dhe si pasojë e kemi nën kontroll situatën”, – nënvizoi Kushi.
Lidhur me vendimet që do të merren për ecurinë e mëtejshme të mësimit Kushi tha se “janë ekspertët e shëndetësisë që do të marrim vendime se si do të procedohet. Shkollat janë mbyllur vetëm për 1 ose 2 ditë vetëm për dizinfektim dhe i kemi rihapur. E kemi menaxhuar situatën në mënyrën më të mirë të mundshme më bazë të rrethanave që ndodhemi”.
Ministrja bëri të ditur se, “kontakti i munguar në shkolla sjell shumë pasoja dhe ne do të ndërtojmë një strategji se si ta rikuperojmë këtë mangësi të krijuar. Kemi 600 psikologë dhe punonjës socialë në shkolla për të mbështetur mangësitë gjatë fazës së pandemisë, por edhe gjatë tërmetit”.
Sa i përket vaksinimit të mësuesve Kushi tha se, “procesi i vaksinimit të mësuesve vazhdon dhe mbi 6000 mësues e kanë kryer vaksinën”.
“Disa mësues e kanë kaluar dhe disa po e kalojnë kovidin, ndaj ata do ta bëjnë në një moment të dytë. Në asnjë moment nuk ka pasur nga ana jonë presion për ta bërë vaksinën dhe asnjëherë s’do të ketë presion. Dozat që erdhën në Shqipëri ishin të kontrolluara dhe të sigurta ndaj edhe neve i sigurojmë të gjithë mësuesit për cilësinë e vaksinës”, – tha Kushi.
E pyetur lidhur me incidentin në Elbasan gjatë festimeve të ditës së verës Kushi tha se “ai konflikt dhe provokim ishte i organizuar nga opozita. Në Elbasan nuk e kemi traditë si qytetar. Ishte tërësisht një organizim nga Basha. Kryeministri dhe ne të tre bëmë një xhiro në qytet dhe në një familje dhe asnjë organizim për grumbullim, ndaj them ishte axhendë politike nga PD. Ne jemi maksimalisht të angazhuar për një fushatë të qetë”.
