Lulzim Basha pas ceremonisë përkujtimore në memorialin e Azem Hajdarit deklaroi se amaneti dhe sakrifica e tij janë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane.”Sot shqiptarët nderojnë Azem Hajdarin, liderin e lëvizjes studentore të ’90, që u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit.
Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike, ku qytetarët janë zotë të fateve të tyre me një politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe pas hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë dhe të ndershme. Sot në këtë 21 vjetor akoma është aktuale plaga e hapur, krimi vijon që të ketë mbrojtjen dhe postet shtetërore.
E sotmja është po kështu edhe një thirrje për bashkim mes të gjithë shqiptarëve të ndershëm, demokratëve dhe socialistëve të ndershëm që kurrë nuk e kanë pranuar politikën e lidhur me krimin dhe vjedhjen me ligj si politikën e vetme për t’u bërë bashkë për të hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. K ardhur koha që rinia shqiptare ta mbyllë tranzicionin dhe të hapë rrugën e vlerave, demokracisë, lirisë dhe barazisë para ligjit. Ky është nderimi më i madh për Azem Hajdarin dhe qindra të tjerë” tha ai.