Behgjet Pacolli ka reaguar në rrjetet sociale për situatën rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se sot ka arritur një fitore ai dhe kompania MABCO, pas “vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës”. Në reagimin e tij, Pacolli pretendon se vendimi i Apelit rrëzon një vendim të mëparshëm që, sipas tij, kishte sjellë bllokimin e hyrjes në terminal dhe pengimin e vijimit të punimeve.
Në një reagim në Facebook, Pacolli shprehet se çështja tashmë ka kaluar në arbitrazh ndërkombëtar dhe se situata po shkakton kosto të larta ligjore dhe dëme të tjera për kompaninë. Ai përmend gjithashtu vendime të mëparshme të Gjykatës së Lartë dhe apelimit, duke kërkuar që përgjegjësit për ato që i konsideron veprime të kundërligjshme të përballen me përgjegjësi.
Në reagimin e tij, Pacolli thekson se qëllimi i MABCO-s mbetet përfundimi i punimeve dhe vënia në operim e Aeroportit të Vlorës, ndërsa ngre shqetësimin për masat e vendosura nga arbitri emergjent ndërkombëtar dhe pasigurinë që, sipas tij, ato krijojnë për projektin.
Ndërkohë nga ana tjetër, mediat në Kosovë raportojnë se ish-ortaku i tij për aeroportin e Vlorës, biznesmeni Valon Lluka, ka shkuar në policinë së Kosovës, më saktësisht në drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
“FITORJA E RADHES e MABCOS ndaj padrejtesive!
Poashtu jam i lumtur qe MASKAT PO BIEN!
Çështja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës tashmë ka marrë përmasa të mëdha dhe po përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, çka po sjell kosto jashtëzakonisht të larta ligjore.
Sot edhe GJYKATA E APELIT e Tiranes e hodhi poshte vendimin e nxitur, te jashteligjeshme dhe te shemtuar, te
MIRIANA NAKES,
qe shkaktoj bllokimin e hyrjes ne Terminal per te perfunduar punimet dhe per te certifikuar vepren.
Po ashtu me 26 Maj te ketij viti Gjykata e Larte e Republikes se Shqiperise hodhi poshte vendimet e nxitura dhe joligjore te gjykatesve
FATMIR NDREU te dates, 17/10/ 2025, te
MARIANA SHEGANI-DEDI, dhe
gjyqetareve te trupit Gjykues te apelit te 19/2/2026
MABCO po i përballon këto deme dhe kosto për të mbrojtur të drejtat dhe investimin e saj, por në fund qëllimi i saj vijon dhe mbetet një:
PËRFUNDIMI I NDËRTIMIT TË KESAJ VEPRE ME RËNDËSI KOMBËRARE.
Por organet e drejtësisë duhet të sjellin para përgjegjësisë të gjithë ata që vepruan kundërligjshëm dhe shkaktuan këto dëme.
Pas ndërhyrjes së arbitrit emergjent ndërkombëtar, janë vendosur masa për ruajtjen e status quo-së, të cilat kufizojnë veprime të caktuara dhe e mbajnë projektin në një gjendje pasigurie.
Prandaj, pyetja mbetet thelbësore:
A do të lejohemi të përfundojmë punimet dhe vendosim në operim këtë vepër të rëndësishme për popullin Shqiptar në mbrojtje të interesit publik?
Cdo ditë vonesë sjell dëme të reja dhe është në dëm të interesit publik dhe koha për të vepruar është tani”, shprehet Pacolli.
Kujtojmë se më herët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit të Vlorës, duke argumentuar se nuk ishin respektuar afatet për përfundimin e punimeve. Vendimi erdhi pas mosmarrëveshjeve mes dy kompanive aksionere, MABCO Constructions të Behgjet Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit, të cilat kishin çuar në bllokimin e punimeve.
Më pas, çështja kaloi në arbitrazh ndërkombëtar.
Më 16 shtator arbitri i emergjencës pranë ICC-së urdhëroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet përkohësisht nga veprime që mund të përkeqësojnë mosmarrëveshjen gjatë procedurës së arbitrazhit. Investitori Behgjet Pacolli i bëri thirrje qeverisë të rikthehet në dialog.
Por ministria e Infrastrukturës e interpreton ndryshe vendimin. Sipas saj, arbitri ka rrëzuar dy nga tre kërkesat e VIA-s, përfshirë kërkesën për pezullimin e zgjidhjes së kontratës. Ministria thotë se kontrata ka hyrë në fuqi dhe se masa e dhënë është vetëm e përkohshme. “Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s. E vetmja masë e urdhëruar ishte ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së, derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen”. Panorama aktuale është që Pacolli kërkon dialog dhe vazhdimin e punimeve, ndërsa qeveria këmbëngul se kontrata është zgjidhur. Nëse vazhdohet kështu, çështja pritet të shqyrtohet në themel nga tribunali i arbitrazhit.
