Prej momentit kur vendi është vendosur në karantinë ka nisur zhvillimi online i mësimit për nxënësit. Herë pas here janë bërë njoftime në media lidhur me situatën dhe ministrja e Arsimit ka njoftuar si do procedohet me mësimin dhe kur mund të rifillojë zhvillimi normal i tij.
Në një lidhje direkte në mediat sociale ministrja e Arsimit, Besa Shahini sot shpjegoi se nuk ka ende një vendim final si do procedohet me vitin shkollor pas situatës së krijuar prej pandemisë por njoftoi se gjitçka do saktësohet pas mbledhjes së Task Forcës për pandeminë. Po ashtu theksoi se në çdo situatë ka përgatitje për skenarët e mundshëm edhe nëse nis edhe nëse jo mësimi.
Do ta kemi në fund të prillit një vendim final për mbylljen e vitit shkollor. Po shohim me kujdes situatën dhe po presim një vendim nga Task Forca për koronavirusin nëse mund të kthehemi nëpër shkolla apo jo. Sido që të jetë, ne i kemi të gjithë skenarët gati: si në rastin që kthehemi në shkolla apo nëse nuk kthehemi në shkolla, dhe do të zbatojmë njërin nga këta skenarë. Shahini po ashtu foli dhe për çështjen e maturantëve për të cilët tha se do të botohen shumë shpejt programet e reja orientuese për provimet e matures.
Studentët kanë një fleksibilitet të shtuar për shkak se provimet i kanë në korrik (zakonisht është një periudhë provimesh). Ne po punojmë shumë ngushtë me rektorët, dekanët, shefat e departamenteve që të shohim se çfarë kanë planifikuar universitetet e ndryshme për mbylljen e vitit akademik. Ne po koordinojmë punët me ta, po i orientojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, por në fund të ditës vendimmarrja është e universitetit.