Emisioni BOOM ka sjellë denoncimin e një qytetari nga Berati, i cili ende nuk ka marrë dëmshpërblimin e banesës së tij, që iu dogj në vitin 2018 për shkaqe natyrore.
Bëhet fjalë për banesën e shtetasit Hetem Mahmutaj, i cili jetonte në këtë shtëpi së bashku me nënën e tij të moshuar.
Për shkak të djegies së banesës, ata të dy u detyruan të jetonin me qira në një banesë në qytetin e Beratit, por pak kohë më vonë Hetemit do t’i duhej që nënën e tij ta çonte të jetonte në familjen e vajzës së saj dhe vet të jetojë të shtëpia e motrës për aq kohë sa problemi të marrë zgjidhje nga Bashkia. Pas djegies së banesës Hetemi ju drejtua, Drejtorisë së Emergjencave Civile në qytetin e Beratit. Pas gjithë procedurave, të cilat i ndoqi hap pas hapi, arriti të plotësonte kushtet për një shpërblim nga shteti sipas komisionit të vlerësimit. Pas përfundimit të procedurës dhe plotësimit të dokumenteve Hetemi ka pothuajse një vit që ende nuk ka marr një zgjidhje, veçse një shpërblim i dhënë nga Bashkia e Beratit në vlerën 1 milionë lekë të vjetra.
Përgjigjja e Bashkisë dhe Drejtorisë së Emergjencave Civile Berat është se nuk kanë fonde për të mbuluar këtë shumë lekësh e cila është caktuar nga Komisioni i Vlerësimit.
Një problematikë tjetër pas djegies së banesës, e cila ndodhet në qendër të Beratit, muret për shkak të kohës që ka kaluar dhe amortizimi, rrezikojnë të shemben në rrugicën publike,pranë kësaj banese, e cila përshkohet nga qindra banorë, pasi është rrugica që lidhë pazarin e Beratit. Pas shumë ankesash dhe kërkesash në Bashkinë e qytetit të Beratit, Hetemi nuk ka marr asnjë zgjidhje por vetëm fjalët se dosja është plotësuar dhe kaq, puna jonë këtu mbaron. Është Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes e cila duhet të veprojë dhe të japë një rrugëzgjidhje.
Hetem Mahmutaj: Për shkak të djegies së banesës në tetor të vitit 2018 për shkaqe natyrore, unë së bashku me nënën time 86 vjeçe ngelëm pa strehë, për këtë arsye u detyruam që së bashku me nënën të jetojmë te shtëpia e motrës. Pasi bëra ankesë në Bashki, plotësova çdo dokumentacion që përmban ligji për emergjencat civile dhe i dorëzova në bashki. Përgjigjja që kam marr: Kjo ishte procedura që kemi ne si bashki. Po e njëjta gjë edhe nga Drejtoria e Energjencave Civile në Berat,më pohojnë se dosja ka shkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile. I jam drejtuar edhe portalit e-Albania por asnjë përgjigje, kam bërë kërkesë edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile por asnjë përgjigje,jam drejtuar edhe Ministres së Mbrojtjes por asnjë përgjigje, prandaj ju drejtova emisionit BOOM pasi kam ndjekur dhe kam vënë re që emisioni juaj ka zgjidhur shumë problematika të burokracisë nga ky shtet. Unë më shumë jam i tmerruar për një problematikë e cila është krijuar për shkak të amortizimit të mureve që janë një rrezikshmëri e lartë për banorët, pasi kam marr dhe shqetësimet e tyre i jam drejtuar bashkisë edhe për këtë gjë por asnjë zgjidhje .
Edhe banorët që e përshkojnë çdo ditë atë rrugë janë shprehur të shqetësuar.
Banori 1: Është e rrezikshme pasi ai mur rrezikon të shembet nga dita në ditë.
Banori 2: Është një problem shqetësues,të cilin e kemi biseduar edhe me pronarin e ligjshëm të kësaj banese për të marr një masë,pasi aty kalojnë fëmijë shkolle dhe qytetarë të tjerë të cilët shkojnë në pazar pasi kjo rrugë lidhë pazarin e qytetit.
Nxënës Shkolle: Po është e rrezikshme, kemi frikë të kalojmë po s’kemi çfarë të bëjmë pasi duhet të shkojmë çdo ditë në shkollë, vëllain e vogël e çojmë me transport në shkollë, vjen e merr dhe e sjell makina, për të shmangur kalimin këtu.
Drejtoresha e Emergjencave Civile në Berat: Jam në dijeni dhe njihem me dosjen, për efekt ligjor janë plotësuar gjithë procedurat e kësaj dosje hap pas hapi dhe pas përfundimit është nisur, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile. Kjo procedurë ka disa muaj që ka përfunduar dhe dosja nga ana jonë konstaton të jetë e saktë, pasi nuk na është kthyer asnjë përgjigje në lidhje me dokumentacionin.
Gazetarja: A është një procedurë e cila duhet të ndiqet deri në një veprim nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile?
Drejtoresha Emergjencave Civile: Deri këtu është puna jonë është procedurë që duhet të zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes.
Nënkryetarja e Bashkisë Berat: Unë nuk e njoh dosjen pasi kam vetëm pak muaj që jam në këtë pozicion, por po kërkoj për dosjen dhe po ju vë në dijeni. Por unë mbuloj vetëm çështjet sociale, përsa i përket këtij problemi, nuk është në kompetencën time. Zotëria mund të bënte një kërkesë zyrtare, pikërisht për shqetësimet e qytetarëve ngrihet një grup i posaçëm. Të gjitha procedurat ligjore Bashkia i ka kryer, më duhet të sqaroj pozicionin tim, jam rishtas këtu, nuk është fusha ime specifike. Këtu ka mbaruar e gjitha procedura.
Halim Goxhaj, Përgjegjës i Sektorit të Emergjencave Civile në Prefekturë: Jam në dijeni të dosjes, dosja është punuar përsëri pasi pati mangësi në dokumente. Kemi mbaruar procedurën e cila ka një afat kohor prej 10 ditësh dhe dosja është quajtur e rregullt. Në bazë të VKM. Ne dosja na vjen me vendim të Këshillit Bashkiak dhe nëse këtë vendim e konsiderojmë të rregullt ja përcjellim Drejtorisë së Përgjithësime të Emergjencave Civile. Kjo dosje është konsideruar e rregullt dhe e kemi përcjellë, është detyrë e Drejtorisë së Përgjithësime të Emergjencave Civile për vazhdim të procedurës që në këtë rast është shpërblimi.
Pas kërkesës, drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes për informacion më të hollësishëm në lidhje me dosjen e Z.Mahmutaj, kjo e fundit pohon se: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile disponon dokumentacionin e plotë dhe të saktë nga Bashkia Berat, për banesën e dëmtuar të Z.Mahmutaj për dëmin e shkaktuar nga rënia e zjarrit. AKMC në zbatim të detyrimeve ligjore e ka vendosur Z.Mahmutaj në listën e personave në pritje për dëmshpërblim. E ndërsa për sa i përket pyetjes, për shmangien e rrezikut të shembjes së mureve pohon se: Kjo është kompetencë e Bashkisë Berat.

