Policia e Bulqizës ka finalizuar operacionin e koduar “Krasta”, duke goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Në pranga ra 20-vjeçari O. G., banues në fshatin Peshk, Martanesh, i cili u kap në flagrancë teksa qarkullonte me armë zjarri në automjet.
Gjatë kontrollit në kamionçinën tip “Benz” që ai drejtonte në aksin Krastë – Bulqizë, shërbimet e policisë zbuluan të fshehur një pistoletë tip “Zastava” me një krehër që kishte 10 fishekë. Arma, municioni dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale.
20-vjeçari akuzohet për “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme procedurale.
