Categories Lajme

Goditet monopoli/ Diktuan çmimet deri në 115% më të larta, Autoriteti i Konkurrencës gjobit 6 kompani fruta- perimesh

Plot 6 kompani të grumbullimit dhe të shitjes me shumicë të fruta-perimeve kanë bashkërenduar çmimet e blerjes, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar një rritje deri në 115%.

Bëhet fjalë për 6 kompanitë, Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK, dhe secila është gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës me gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit 2024.

Ky hetim ka zgjatur 2 vite nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka monitoruar tregun në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, pas një procedure të thelluar hetimore që përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.

Njoftimi:

Autoriteti i Konkurrencës përfundoi vlerësimin e praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.

Në mbledhjen e datës 26.11.2025, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet nr. 1234–1239, me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar mark-up (shtesë mbi kosto) shumë të lartë, deri në 115%.

Kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Pse ky vendim është i rëndësishëm për fermerët në gjithë Shqipërinë

Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me:

çmime të diktuara e të koordinuara,
dyer të mbyllura për negocim,
varësi të tepruar nga pak blerës,
presione për uljen e çmimeve,
dhe shlyerje të vonuara të pagesave.
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dheforcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për:

çmime më të drejta e më transparente,
konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve,
mundësi reale zgjedhjeje për fermerët,
pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale,
frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar.
Për më tepër, megjithëse gjobiten 6 ndërmarrje,efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar, sepse:

sjell qartësi mbi praktikat e ndaluara,
vendos standarde të reja për transparencën e çmimeve,
synon disiplinimin e tregut të fruta-perimeve,
dhe nxit konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët.
Kjo është një ndërhyrje strukturore me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe një sinjal i qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.

Detyrime dhe masa korrigjuese për grumbulluesit

Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që:

të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë,
të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës.
Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.

Rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Me vendimin nr. 1240, Komisioni i Konkurrencës ka adresuar institucionet përgjegjëse me rekomandime të rëndësishme për reformimin e tregut, përfshirë:

minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit,
hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE,
krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore),
vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara,
dhe bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta (UTP).
Nëpërmjet këtyre vendimeve, Autoriteti i Konkurrencës vijon përmbushjen e misionit të tij për të garantuar konkurrencë të lirë dhe të ndershme, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e fermerëve, rritjen e transparencës dhe funksionimin më të drejtë të tregut agro-ushqimor në Shqipëri

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e Hënë 14 Shtator 2026

Dashi Natyra juaj optimiste nuk do t’ju lërë në asnjë moment të bini pre e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Gazetarët, padi në Kushtetuese: Kërkojmë pezullimin dhe shfuqizimin e saj, është censuruese

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë padinë për rregulloren…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ilir Meta kërkon zëvendësimin e masës me “arrest me burg”

Dhjetra refuzime në të tre shkallët e gjyqësorit nuk e kanë ndalur ish-Presidentin e Republikës,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Roskovec/ Sulmoi me çekiç babain e ish-bashkëjetueses, i plagosuri dërgohet me urgjencë në spital, autori arratiset

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Suk të Bashkisë Roskovec,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Viti i ri shkollor, mbi 340 mijë nxënës në të gjithë vendin! 25 mijë prej tyre ulen sot për herë të parë në banka

Në të gjitha shkollat e vendit sot ka nisur viti i ri mësimor. Mbi 340…

LEXO ME SHUME