Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë Xhensila Pine, Suela Zhegu dhe Olsi Komici, ka vendosur në 4 korrik të 2019 të shkarkojë nga detyra kryetaren Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Valbona R. Seknaj (Durraj), me arsyetimin se nuk justifikon pasuritë. Sipas vendimit, kryegjyqtarja, përpos të tjerave, ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme një godinë 2-katëshe, në Velipojë, në vitin 2013. Gjithashtu, sipas turpit gjykues, gjyqtarja nuk justifikon me burime të ligjshme koston e ndërtimit dhe mobilimin e kësaj godine. Madje, kryegjyqtarja nuk justifikon me burime të ligjshme as blerjen e truallit. Po si e ndërtoi kryegjyqtarja godinën? Gjithçka nis në vitin 2012, kur zonja Seknaj blen 360 m² tokë truall në fshatin Pulaj në Velipojë, me vlerë 881.280 lekë, në bashkëpronësi me bashkëshortin me ½ pjesë. Por, Seknaj nuk e ka deklaruar as në deklaratën “Vetting”, dhe as në deklaratën periodike vjetore të vitit 2012, burimin e krijimit të kësaj pasurie. Në përgjigjet e pyetësorit që i ka dërguar KPK, ajo ka shpjeguar se kjo pasuri, në bashkëpronësi me bashkëshortin, është blerë me kursimet e tyre familjare. Trupi gjykues ka bërë analizën financiare, duke dalë në konkluzionin se gjyqtarja kishte mungesë burimesh të ligjshme për të blerë tokën në fshatin Pulaj, Velipojë. Ajo ka rezultuar me balancë financiare negative për vitin 2012, në shumën – 761.127 lekë.
Godina 2-katëshe
Një vit më vonë, kryegjyqtarja Valbona R. Seknaj dhe bashkëshorti i saj kanë ndërtuar një godinë 2-katëshe, me sipërfaqe 100 m² në këtë truall. Ata kanë deklaruar se godinën ua ka ndërtuar investitori z. N. M., në shkëmbim të dhënies sё tokёs. Sipas marrëveshjes së arritur që në fund të vitit 2012, investitori N. M do të ndërtonte godinën në vitin 2013 në këmbim të ½ së sipërfaqes truallit në pronësi të tyre. Pas përfundimit të ndërtimit trualli dhe ndërtimi do ndaheshin në dy pjesë nga ku ½ do kalonte në pronësi të N. M. dhe ½ tjetër do regjistrohej në pronësi të E. dhe Valbona Seknaj.
4 problemet me godinën
Së pari, në dosjen e legalizimit në vitin 2018, objekti në fjalë rezulton me sipërfaqe totale ndërtimi për banim 205.66 m². Së dyti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në konkluzionin se godina 2-katëshe është ndërtuar në mënyrë të paligjshme. “Komisioni, në lidhje me pasurinë godinë 2-katëshe me sip. 200 m², mbi truall me sip. 360 m², në fshatin Pulaj, Velipojë, ka konstatuar se subjekti ka kryer ndërtim të paligjshëm në vitin 2013. Ndërtimet e paligjshme nga dhjetori i vitit 2014, parashikohen si vepër penale referuar nenit 199/a të Kodit Penal, të Republikës së Shqipërisë”. Së treti, sipas KPK, vlera e investimit është deklaruar në shumën 5.373.356 lekë, kostoja mesatare për ndërtimin e objektit duhet të ishte minimalisht në vlerën totale prej 6.555.412 lekësh. Së katërti, investitori i pretenduar nga kryegjyqtarja për ndërtimin e godinës, sipas KPK, ka të ardhura të ligjshme, por janë të pamjaftueshme për ndërtimin dhe mobilimin e kryer prej tij.
Kryegjyqtarja
Kryetarja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Valbona R. Seknaj (Durraj) ka blerë 360 m² tokë si dhe ka ndërtuar një godinë 2-katëshe me sipërfaqe 205.66 m² pa pasur burime të ligjshme parash.
KPK-ja
Investitori i pretenduar nga kryegjyqtarja për ndërtimin e godinës, sipas KPK, ka të ardhura të ligjshme, por janë të pamjaftueshme për ndërtimin dhe mobilimin e kryer prej tij.
Konkluzionet e KPK-së për Valbona Seknajn
Ka deklarim të pasaktë të pasurive dhe të interesave private, si dhe nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, të parashikuara në nenin D, të aneksit të Kushtetutës;
Ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë dhe kryerjen e shpenzimeve;
Ka fiktivitet në lidhje me dy kontratat noteriale për shitjen e një pasurie, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore (evazion fiskal), për shkak të dorëzimit në ZVRPP të kontratës me vlerë më të ulët se vlera e shitjes se pasurisë;
Ka deklarim të rremë në lidhje me të ardhurat e deklaruara nga aktiviteti privat i avokatisë dhe nga aktiviteti privat i bashkëshortit;
Ka ndërtimin të paligjshëm në vitin 2013 të godinës 2-katëshe, në Velipojë, si dhe ka mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar ndërtimin dhe mobilimin e kësaj godine;
Ka deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë sipas pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016.