Categories Lajme

Dështon takimi farsë i Veliajt, studentët e “kryqëzojnë”: Vrasës i Ardit Gjoklajt!

Kryebashkiaku përplaset me dy studente gjatë inspektimit të godinave në konviktet e Qytet Studenti. Ndërkohë vazhdon firmosja e peticionit për mbledhjen e firmave për abrogimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Drejtësia, mësim me përplasjeve dhe policëve tek klasat e gjimnazit

Enida Vërça

Takimi i kryebashkiakut Veliaj në godinat 26-27, për ‘inaugurimin’ e punës në këto ambiente doli nga kontrolli, prej disa studenteve, të cilat e akuzuan për propagandë dhe vazhdimin e farsës në punët që ai bën. Arbjona Çibuku, studente e gazetarisë, viti tretë, tha për “Shekullin”, se nuk mund të pranonte më gënjeshtrat e kryebashkiakut teksa premtonte për fillim e punës në dushet e këtyre godinave. E revoltuar së bashku me studenten e Shkencave Sociale Evelina Dëma, u ngritën në këmbë dhe denoncuan gënjeshtrat e tij për rregullimin e godinave. Studentet e akuzuan edhe si përgjegjës kryesor për vrasjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklajt, duke mbledhur kanaçe në landfillin e Sharrës. Arbjona Çibuku tregon se si rojet e sigurisë u përplasen me vajzat duke përdorur forcën. “Tentuan të na marrin telefonin që po bënim filmimet dhe më pas me forcë na kanë nxjerrë jashtë”, tha ajo. E pyetur se përse studentët patën atë reagim ajo tha: “Nuk po e duroja dot, kur bënte premtime boshe të cilat nuk janë mbajtur asnjëherë prej tij. Ai është thjeshtë një fasadë në çdo gjë që publikon. Në çdo vend ku ai shkon ka një staf të madh nga pas, që punojnë dhe më pas videot ia dërgojnë mediave”, tha ajo. Më tej shtoi se në këtë përplasje që pati me kryebashkiakun, duke e akuzuar si vrasësin e 17-vjeçarit që humbi jetën në landfillin e Sharrës, Veliaj u trondit. “I doli situata jashtë kontrollit, po i kërkonte stafit të na merrte telefonin që po filmonim. U tremb, u zverdh në fytyrë dhe më tha se mund të shkojmë në prokurori”, tha Arbjona. E pyetur nëse ka frikë pas këtij veprimi që bëri, ajo tha: “Jo nuk kam frikë, se besoj se mund të më kërcënojë. Ishte një moment, që nuk e kisha planifikuar, por ndodhi. Nuk bëhem pishman për veprimin”.

Debati

Veliaj: Doja t’ju informoja shumë shkurt në lidhje me punimet se si do ecin. E kemi thuajse detyruese që ta nisim këtë punë edhe nëse jemi këtu.

Arbjona: Deri tani a nuk mund të fillonte puna?

Veliaj: Ta shpjegoj unë.

Arbjona: Jo nuk kemi ardhur këtu për t’ju dëgjuar juve. Sot po punohet në këtë godinë që keni ardhur ju. I keni mbushur sot skelat me punëtorë, thjeshtë për të treguar se po punoni. Mjaft, jemi lodhur nga propaganda juaj!

Veliaj: Nëse nuk do të dëgjosh, nuk ka asnjë problem.

Arbjona: Ju doni të dëgjoni vetëm ata që flasin pro jush.

Veliaj: Ti do dalësh jashtë!

Arbjona: Normale që do dal, sepse kam mungesë edukate.

Veliaj: Nuk mund t’i thuash plaç dikujt që po të ndihmon.

Arbjona: Ti nuk po ndihmon, po bën thjesht detyrën.

Veliaj: E shikoj si shumë të vështirtë, që ju, pas universitetit, të mos keni urë komunikimi.

Arbjona: Ju z. Erjon Veliaj, jeni vrasës, keni vrarë Ardit Gjoklajn, 17-vjeçarin, i cili sot mund të ishte në universitet.

Veliaj: Mund të shkojmë në prokurori, patjetër!

Arbjona: Ju nuk ma mohoni dot, ju dhe propaganda juaj, nuk ma mohoni dot.

Veliaj: Nuk e mohoj fare. Do t’i rregullojmë të gjitha. Tani dil jashtë!

Firmat

Peticioni për rrëzimin e ligjit shpërndahet në çdo fakultetet

Studentët vazhdojnë mbledhjen e firmave për rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Ditën e djeshme, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës janë mbledhur 900 firma, ndërkohë që vazhdon procesi i numërimit dhe firmosjes. Në rang universiteti, studentët konfirmuan për “Shekullin” se janë mbledhur mbi 1 mijë e 300 firma, duke shtuar se synimi është të mblidhen 30 mijë firma, të cilat do t’i depozitohen qeverisë. Përveç Inxhinierisë, shpërndarja ka nisur edhe në Fakultetin e Inxhinierisë- Matematik-Fizikë, te Politekniku, në universitetin e Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ dhe  tek ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës. “Kjo praktikë do të vazhdojë gjatë gjithë javës. Ka nisur edhe shpërndarja e fletëve. Ne do komunikojmë edhe me studentët e Universitetit të Tiranës, ku pedagogët tashmë e kanë dalë me asambletë e tyre për rrëzimin e ligjit. Ditën e nesërme do të shpërndajmë në fakultetin e Ekonomikut, Shkencat e Natyrës dhe atë të Mjekësisë. Në fakultetin tonë gati 80% e pedagogëve e kanë firmosur. Studentët janë mjaft pozitivë dhe të gatshëm për të firmosur. Synimi ynë është që mbledhim 30 mijë firma, të paktën sipas llogarive tona, bashkë me të gjithë universitet synojmë të realizojmë këtë shifër. Për këtë arsye edhe fletët e këtij peticioni janë në 30 mijë firma me studentë dhe pedagogë”, tha për “Shekullin” Ledjon Isufi, student i këtij fakulteti.

Rektorati

Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ pas një vendimi të Rektoratit ditën e djeshme, ka vendosur që të gjithë studentët t’i rikthehen auditorëve në datën 4 Shkurt. Në mbledhjen e fundit të rektorati ka miratuar strukturën e re të procesit mësimor dhe i ka lënë detyrë të gjithë dekanëve të marrin masa për të garantuar procesin mësimor. Zv. rektori i Universitetit, Gëzim Dibra ka treguar edhe lidhur me mënyrën se si do të veprohet për të rikuperuar orët e humbura. “Kemi pasur një kërkesë nga studentët që të nisë mësimi. Kemi përcaktuar edhe javët e provimeve. Pastaj mund të shohim realizimin e semestrit të dytë në 14 javë duke edhe përfshirë edhe mësimdhënien ditën e shtunë,” tha Dibra. Sipas zv. rektorit një ftesë për t’ju rikthyer auditorëve i është drejtuar edhe studentëve të ngujuar prej 9 ditësh brenda ambienteve të Universitetit. Kujtojmë që në fakultetin e Infermierisë, Ekonomikut, Shkencat e Edukimit dhe Juridiku vazhdojnë bojkotin.

Përshkallëzimi

Filologjiku paralajmëron për grevë mësimore pas 1 shkurtit

Në Shkencat Sociale ka vazhduar bojkoti aktiv edhe ditën e djeshme. Mes ligjërimeve të pedagogëve dhe studentëve, ata kanë vazhduar si zakonisht bojkotin. Joana Meraj, studente e këtij fakulteti, tha për “Shekullin” se nuk ka zhvilluar asnjë orë mësim. “Ka pasur tentativa për të filluar mësimin, por kemi folur me këta studentë dhe nuk e kanë zhvilluar mësimin. Nuk ka pasur as debate dhe as përplasje fizike. Pas 1 shkurtit, nëse pikat e pedagogëve nuk plotësohen edhe ne do t’i bashkohemi grevës mësimore. Është një luftë e përbashkët, ku kërkojmë rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë”, tha ajo. Më tej shtoi se ‘Pakti për Universitetin’ i ka bërë studentët të reagojnë edhe më fortë. Ky ‘Pakt’ nuk thotë asgjë për ne. E kemi parë dhe lexuar, por nuk ka asgjë nga ato që ne kemi kërkuar. Ne nuk duam ulje tarifash për një vit dhe vetëm me Vendim të Këshillit të Ministrave që mund të jetë i shfuqizueshëm nga momenti në moment. Ne duam që të rrëzohet ligji dhe të ndërtohet një i ri, duke qenë se ky aktuali favorizon privatin, në kurriz të publikut”, tha ajo. Po ashtu, nuk e mohoi edhe mundësinë e një kryengritje të madhe studentore. Ne nuk e fshijmë si mundësi protestën, kryengritjen një moment të dytë. Mjafton riorganizimi nga çdo fakultet. Fakulteti ynë është kthyer në një ambient ku ne po marrim shumë dije dhe informacion. Është pikërisht fakulteti që ne kemi dashur prej kohësh. Studentët janë të lirë të shprehin mendimet e tyre. Të pyesin pa frikë dhe të marrin përgjigje për çdo gjë. Është ajo që ne kemi pasur nevojë prej kohësh”, përfundoj Meraj.

Takimi

Në fakultetin e Histori-Filologjisë ditën e djeshme ka qenë i ftuar pedagogu Elvis Hoxha. Ai ka përshëndetur qëndresën e studentëve dhe ka kërkuar nga at vetëm rezistencë në fitore.” E gjithë kjo rezistencë duhet përgëzuar dhe të vazhdoj me këto ritme. Ju bëtë protesta shembullore”,deklaroi pedagogu. Sipas tij, kërkesat e studentëve si fillim duhet të kenë një fond special. “Duhet të ketë një fond për bibliotekën e Tiranës. Po ashtu duhet një riorganizim i fushës kërkimore. Nuk ka asnjë lloj strukturimi të jetës kërkimore në universitete shqiptare. Ajo që kemi ne, janë vetëm plagjiatura, të cilat janë të vetëdijshme”, deklaroi ai. po ashtu kërkoi nga të rinjtë statistika. “ Nga ana juaj si studentët duhet të kishte disa statistika. Duhet të bëni monitorime të universiteteve në botë, në shumë aspekte dhe të gjeni informacione mbi buxhetin e universiteteve në botë. Është shumë e rëndësishme që të thuash se në Slloveni vetëm 4% e buxhetit për arsimin sigurohet nga tarifat e studentëve. Këto janë kritere nga të cilat ne dimë t’i përgjigjem kryeministrit në çështje ekspertize të universitetit. Pse? Sepse këtë nuk do kryeministri, t’i përgjigjet ekspertizës. Çfarë bëri kryeministri me ligjin? Krijoi borde në universitet. T’i shpërndaj këta njerëzit e mi brenda universitetit, të cilët nuk i paguajnë dot me kontrata oligarkët, t’i paguaj me pagat e shërbimeve publike dhe e mbaj universitetin në lartësinë e ekspertizës sime”, përfundoi pedagogu. Nga ana tjetër studentët u shprehen se nëse  pas datës 1 shkurt, nuk plotësohen pikat e pedagogëve, do të nisë greva mësimore. “Do thotë, pas këtij bojkoti nuk do të jemi më as në këto ambiente. Për aq kohë sa pikat tona nuk janë plotësuar, nuk e kuptoj pse duhet t’i rikthehemi auditorëve. Grevë mësimore nga ne dhe pedagogët”, deklaruan ata.

Përplasja

Drejtësia, mësim me policë në klasat e gjimnazit

Me ndihmën e forcave të Policisë së Shteti dhe atyre ‘Shqiponja’ ka nisur mësimi i një pjese të studentëve të fakultetit të Drejtësisë, ditën e djeshme.  Studentët i janë drejtuar ambienteve të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, aty ku do të vijojë mësimi, derisa të zhbllokohet situata e në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, ku prej 19 ditësh vijojnë të jenë të ngujuar pjesa më e madhe e të rinjve të cilët kërkojnë realizimin e pikave. Studentët u shprehen së mësimi ka dështuar, pasi nga tre orë janë zhvilluar vetëm 30 minuta. “Nuk u bë mësim, pedagogët thjeshtë morën mungesat. Nuk mund të zhvillojmë mësim në këto ambiente”, thanë disa nga studentët. Nga ana tjetër dekani i këtij fakulteti Artan Hoxha siguroi se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Dekani tha se kjo ishte një zgjidhje e detyruar, ndërkohë që mjediset universitare mbahen të bllokuara nga protestuesit. “Nuk është në nivelin që duam, por ju shikoni numrin e madh të studentëve janë dhe shumë të tjerë që ishin në fakultet që tregojnë interes për të vazhduar programin. Ne kemi mirëkuptimin e studentëve për ndonjë vështirësi”, tha Hoxha.

Incidentet

Në ditën e parë, nuk munguan edhe momentet e tensionit mes studentëve. Ndërsa të rinjtë nisën të hynin në mjediset e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, një grup studentësh pro bojkotit mbyllën derën me zinxhirë. Nuk zgjati shumë dhe normaliteti u rikthye nga punonjësit e gjimnazit pa pasur nevojë për ndërhyrjen e policisë, e cila mbërriti para shkollës. Auditorët e Fakultetit të Drejtësisë për një kohë të pacaktuar do t’i zëvendësojnë 38 klasat e shkollës së mesme. Edhe pse u njoftua që prej orës 14:00 deri në mbrëmje edhe përgjatë fundjavës studentët do të marrin leksionet e humbura sipas një orari të riorganizuar, në ditën e parë kjo gjë nuk ndodhi.  Ndërkohë mjediset e fakultetit të Drejtësisë u janë lënë studentëve të ngujuar. Këtë forme proteste ky grup studentësh thotë se do ta vijoje deri më 1 shkurt, datë  kur pritet dhe reagimi i pedagogëve. Më pas do të vendosin për hapin e radhës. “Mundësia e parë është greva e urisë. Është dhe një ide e dytë që është shumë ekstreme, por që ato studentë që kanë vendosur të vënë gjithçka në rrezik dhe kokën e tyre për qëllimet përfundimtare”, tha për “Shekullin”, Vilson Kulemani, duke nënkuptuar kryengritjen ndaj qeverisë. Studentët pro bojkotit të mësimit kërkojnë anulimin e ligjit për arsimin e lartë me qëllim që t’i rikthejnë normalitetin jetës universitare. Ndërkohë që për të zgjidhur situatën ligji detyron Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, por ky i fundit ende nuk ka marrë një vendim për të zgjidhur kaosin e krijuar tek Drejtësia.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Të shtënat me armë në Mamurras, një i plagosur

Një person ka ngelur i plagosur në Mamurras pas disa të shtënave me armë zjarri.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditet monopoli/ Diktuan çmimet deri në 115% më të larta, Autoriteti i Konkurrencës gjobit 6 kompani fruta- perimesh

Plot 6 kompani të grumbullimit dhe të shitjes me shumicë të fruta-perimeve kanë bashkërenduar çmimet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

15-vjeçari u godit me thikë në qafë. Si nisi sherri mes nxënësve të shkollës 9-vjeçare në Sarandë

Zbardhen detaje nga sherri mes nxënësve të një shkolle 9-vjeçare në Sarandë. Në orët e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shpërthen bombola e gazit në një apartament në Vlorë

Një bombol gazi ka marrë flakë në një banesë në lagjen Pavarësia, në katin e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestohen 3 persona, përshtatën lokalet për të organizuar lojëra fati!

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi kishin përashtatur lokalet për të organizuar…

LEXO ME SHUME