Plagoset me armë zjarri një 40-vjeçar në Fier, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorit të dyshuar.
Të tjera detaje zbardhen nga plagosja mbrëmjen e sotme në Fier.
Nga informacionet paraprake mësohet se mes dy personave ka ndodhur një sherr në një lokal, dhe më pas autori ka plagosur me armë zjarri 40-vjeçarin.
40-vjeçari mësohet se është në proces divorci me bashkëshorten e tij, ndërsa autori dyshohet se është i dashuri i gruas së të plagosurit.
40 vjeçari ndodhet në spitalin e Fierit, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ka një plagë në bark.
Mësohet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier rreth orës 21:00, kanë marrë njoftim se në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, një shtetas ka plagosur me armë zjarri një shtetas tjetër.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifkimin e autorit të dyshuar, shtetasin M. B., banues në Cakran dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Shtetasi M. B. në rrethana ende të paqarta ka plagosur me armë zjarri shtetasin G. H., 40 vjeç, banues në Fier. 40-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje me qëllim zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes.