Policia e Vlorës njofton se ka shpallur në kërkim 3 persona të përfshirë në konfliktin e djeshëm ku gjeti vdekjen një 63-vjeçar.
Sipas policisë, në kërkim janë shpallur shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka lidhje me një konflikt të mëparshëm mes djalit të viktimës dhe autorit të sulmit. Babë e bir kanë shkuar në rrugën Gjergj Araniti për të sqaruar situatën, duke u përballur me autorin, i cili në ato momente ishte në makinë me familjen e tij, pasi sapo kishte nxjerrë djalin nga spitali.
Fillimisht debati ka qenë verbal, por më pas ka degjeneruar në fyerje dhe sharje. Situata u tensionua edhe më shumë kur dy shokë të autorit u përfshinë në konflikt. Pas përleshjes fizike me grushte dhe shkelma, Ismail Aliaj humbi jetën në vend.
Njoftimi i plotë i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 03.04.2026, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën.
Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

