Presidenti Ilir Meta uron homologun maqedonas Stevo Pendarovski, me rastin e 28 vjetorit të pavarësisë. Ai thotë se 28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin e tij dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për të gjithë qytetarët.
Kreu i shtetit shpreh bindjen se falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen.
“Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”, shkruan Meta.
Ai e përgëzon homologun për vizionin dhe guximin në arritjen e marrëveshjes historike të Prespës, të cilën e cilëson një shembull për gjithë rajonin, që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të maqedonisë, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurtë.
Meta shpreh bindjen se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
“Së bashku me urimet më të mira e të përzemërta për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të vendit Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, shkruan në mbyllje Presidenti shqiptar