Një 40-vjeçar me iniciale E.Ç. është arrestuar në flagrancë në aeroportin e Rinasit, pasi tentoi të trafikonte drejt Italisë për prostitucion një grua 30-vjeçare. Kjo e fundit, teksa po intervistohej në aeroport nga oficerët e kufirit, ngjalli dyshime me deklaratat e saj. Agjentët e Policisë Kufitare të Rinasit dyshuan mbi qëllimet e vizitës së saj në Itali dhe i bllokuan pasaportën.
Nga hetimet e kryera u zbulua se 30-vjeçarja do të trafikohej në Itali për të prostituuar. Në flagrancë u arrestua 40-vjeçari E.Ç., i cili qëndronte në distancë dhe shoqëronte 30-vjeçaren. Sapo pa që kjo e fundit nuk u lejua të kalonte, tentoi të largohej nga aeroporti, por është kapur nga shërbimet e policisë.
Në vijim të këtyre hetimeve, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 3 persona të tjerë pjesë e këtij aktiviteti kriminal. Ata janë A. Ç., R. Xh., dhe K. Q. Nga hetimet rezultoi se i arrestuari në bashkëpunim me tre personat e tjerë që janë në kërkim, nëpërmjet përdorimit të dhunës kishin detyruar 30-vjeçaren që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali.
Materialet i kaluan Prokurorisë Krimeve të Rënda Tiranë për veprat penale të “Trafikim i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit kryer në bashkëpunim”. /tvklan.al
